E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi me automatik drejt servisit të celularëve në Babrru, zbardhet ngjarja, 18-vjeçari konflikt me pronarin

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Babrru, ku një 18-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një servisi celularësh në Babrru, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e biznesit.

Sipas Policisë së Tiranës, autori i dyshuar, shtetasi R. M., 18 vjeç, pas konfliktit me pronarin e servisit, Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë automatike në drejtim të biznesit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme.

Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan menjëherë operacionin policor të koduar “Zbulimi”, duke bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes.

18-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa gjatë kontrolleve u gjet dhe u sekuestrua edhe arma e zjarrit automatike e përdorur në ngjarje, së bashku me municion luftarak.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›