E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Qendra Multifunksionale Patos, Koçiu: Mbi 44 mijë përfitues

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Qendra Multifunksionale Patos, një mundësi më shumë në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kreu i Bashkisë Patos, Fation Duro, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në vendin tonë, Fiona McCluney, si dhe përfaqësuesja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Randi Davis ishin të pranishme në përurimin e kësaj Qendre ngritur si pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush të mos mbetet pas” që mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Koçiu tha se, kjo qendër do të ofrojë terapi rehabilitimi dhe zhvillimi për fëmijët 3-18 vjeç, si dhe shërbime për familjet në nevojë, me psikologë, punonjës socialë dhe fizioterapistë.

Qendra ofron ambiente dhe kushte bashkëkohore shërbimi për fëmijët që kanë nevojë të marrin terapi të specializuara shëndetësore, qoftë individuale apo dhe në grup. Gjithashtu afrohen edhe shumë shërbime sociale për familjet në nevojë.

“Ajo çfarë jemi duke bërë tani është që të gjithë ata që kryejnë funksione kujdestarie për persona me aftësi ndryshe t’ua njohim si profesion dhe si i tillë edhe të paguhet. Pra, të paguhet si profesion detyra që kryeni duke u kujdesur edhe duke ndihmuar familjarë. Besoj që të tilla Qendra janë shumë ndihmuese kur vjen puna tek përditshmëria dhe tek përfitimi i disa aftësive që ju lehtësojnë jetesën fëmijëve dhe prindërve të tyre”, deklaroi Koçiu.

Nëpërmjet Fondit Social, një instrument financiar në mbështetje të Bashkive është mundësuar ngritja dhe zgjerimi i shërbimeve të integruara duke rritur edhe numrin e përfituesve si dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve ekzistuese ku rreth 681 profesionistë ofrojnë shërbime cilësorë me mbi 44 mijë individë përfitues.

Për herë të parë këtë vit mbështeten 8 bashki të reja që nuk kanë përfituar më parë Fond Social; Finiq, Kuçovë, Divjakë, Krujë, Shijak, Vorë, Pustec, Përmet.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›