Qendra shëndetësore verore e Velipojës në shërbim 24 orë gjatë sezonit turistik

TIRANË, 21 qershor /ATSH-Marseda Qefalia/ Qendra shëndetësore verore e Velipojës ofron shërbim 24 orë në 7 ditë të javës për çdo rast urgjence shëndetësore që paraqitet nga pushuesit të cilët kanë zgjedhur këtë zonë bregdetare për të kaluar pushimet verore.
Stafi mjekësor është i angazhuar me turne të plota dhe në gatishmëri të vazhdueshme për të ofruar ndihmën e parë mjekësore në çdo rast.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, (ATSH) mjekja e qendrës shëndetësore, Age Zekaj, tha se qendra funksionon nga 1 qershori deri më 30 shtator dhe është e organizuar në tre grupe personeli shëndetësor, me dy infermiere që mbulojnë shërbimin 24-orësh.
“Qendra Shëndetësore Verore fillon nga data 1 qershor dhe përfundon në datën 30 shtator. Këtu jemi tre grupe të personelit shëndetësore, jemi me dy infermiere, bëjmë shërbime 24 orë dhe shërbimet mbulohen krejtësisht mirë.
“Deri tani nuk kemi pasur fluks të madh, por edhe kur ka pasur fluks ne e kemi përballuar me shumë sukses dhe besoj se do të ecë gjithçka mirë”, tha mjekja Zekaj.
Infermierja Vjollca Vocaj tha për ATSH-në se në qendrën shëndetësore trajtohen raste të ndryshme, që nga virozat dhe gastroenteritet, deri tek urgjencat kardiake dhe pacientët me terapi të vazhdueshme.
Vocaj bëri të ditur se së fundmi stafi ka ndërhyrë edhe në një rast mbytjeje në det. Sipas saj, një 21-vjeçari i është dhënë ndihma e parë në qendrën shëndetësore verore dhe më pas është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku po merr trajtim në reanimacion.
“Në qendrën verore paraqiten çdo rast, paraqiten me arreste kardiake, pacientë me viroza gastroenterite, janë njerëz që janë me klinikë të vazhdueshme, me terapi të vazhdueshme, që vijnë edhe pushues nga Kosova”, tha ajo.
“Këtu kemi pasur edhe rastin e një mbytje, një 21-vjeçar të cilin kemi shkuar dhe e kemi marrë në det, pasi ne kemi dhe ekipin dhe dalim në det. E kemi stabilizuar djalin këtu dhe e kemi dërguar në Shkodër dhe tani është në reanimacion në spitalin e Shkodrës. Ndihmën e parë ia kemi dhënë ne”, tha infermierja Vocaj.
Qendra Shëndetësore Verore është pajisur me mjetet bazë për përballimin e situatave më të shpeshta gjatë sezonit veror, si problemet nga ekspozimi në diell, pickimet e insekteve, lëndimet e lehta dhe rastet urgjente që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Në funksion janë gjithashtu edhe ekipet e urgjencës që mbulojnë zonat përreth dhe vijën bregdetare, duke garantuar shërbim të shpejtë dhe asistencë mjekësore për pushuesit gjatë gjithë sezonit turistik.
Qendra shëndetësore verore e Velipojës, foto Andrin Hoxha 1 nga 5/m.q/r.e/