Qendrat shëndetësore në sezon, Bjeshkët e Tropojës regjistrojnë numrin më të lartë të incidenteve

Sezoni turistik veror ka sjellë një fluks të lartë vizitorësh në bjeshkët e qarkut të Kukësit. Krahas turistëve vendas, pjesën më të madhe e zënë vizitorët e huaj, duke rritur edhe nevojën për shërbime shëndetësore pranë zonave turistike. Për këtë arsye, qendrat shëndetësore janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo rasti.
Sipas drejtorit të FSDKSH-së, Liman Morina, të gjitha qendrat shëndetësore në zonat turistike janë funksionale dhe të pajisura për të ofruar ndihmën e nevojshme.
“Në përgjithësi, në qarkun e Kukësit ka një lëvizje të madhe të turistëve, sidomos në bjeshkët e Tropojës. Në qarkun e Kukësit, të gjitha qendrat janë të pajisura me profesionistë shëndetësorë, si mjekë ashtu edhe infermierë. Kudo që ka pasur nevojë për shërbim dhe ku ka pasur dëmtime të turistëve që kanë qenë në bjeshkë, është ofruar shërbim cilësor, sepse personeli ka qenë në gatishmëri,” tha ai.
Morina bën me dije se numri më i lartë i incidenteve regjistrohet në bjeshkët e Tropojës, destinacioni më i frekuentuar turistik në qark. Sipas tij, në të gjitha rastet ndihma mjekësore është ofruar në kohë, falë gatishmërisë së personelit shëndetësor. Ai shton se kjo zonë pret mbi 250 mijë vizitorë në vit, çka e bën edhe më të domosdoshëm organizimin e një shërbimi shëndetësor efikas gjatë sezonit turistik.
“Zona e Tropojës është një zonë që frekuentohet më së shumti. I gjithë personeli mjekësor ka ofruar një shërbim shumë cilësor. Sidomos ata që janë në bjeshkë janë në gatishmëri të plotë, si mjekët ashtu edhe infermierët,” tha ai.
Në të gjithë qarkun e Kukësit funksionojnë 24 qendra shëndetësore, nga të cilat 13 ndodhen në bashkinë Kukës, 3 në Has dhe 8 në Tropojë.
/RTSH/