Qëndresa ndaj antibiotikëve shkak për shtimin e infeksioneve. Mbajtja e një ditari ushqimor ndihmon për rënien nga pesha
Qëndresa ndaj antibiotikëve shkak për shtimin e infeksioneve
Rastet e infeksioneve në
lëkurë tek fëmijët thuajse janë dyfishuar gjatë viteve të fundit. Sipas një
studimi qeveritar, në vitin 2000, ky lloj infeksioni renditej i 17 në listën e
shkaktarëve për shtrimin në spital të fëmijëve, por në vitin 2006, infeksionet
në lëkurë u renditën si shkaku i tetë.
Sipas studimit, vetëm në
vitin 2006, në spitale u shtruan me infeksione 67 mijë fëmijë amerikanë. 50
përqind e tyre ishin fëmijë të moshën nën 4 vjeç. Numri i rasteve të
infeksioneve u shtua edhe mes fëmijëve të moshave më të rritur nga 4900 raste
në vitin 2 mijë, në mbi 10 mijë raste të tilla në vitin 2006.
Ekspertët mendojnë se
një nga arsyet e kësaj prirjeje është shtimi i rasteve të qëndresës së
organizmit ndaj antibiotikëve. Kjo qëndresë krijohet nga përdorimi i tepruar e
i panevojshëm ose i parregullt i antibiotikëve, për shembull për të trajtuar
një infeksion veshi ose bronkit, sëmundje që shpesh shkaktohen nga viruse e jo
nga baktere. Megjithatë, shumë fëmijët vazhdojnë të trajtohen suksesshëm me
antibiotikë më të fortë.
Mbajtja e një ditari
ushqimor ndihmon për rënien nga pesha
A mundet një copë letër
të ndihmojë për të rënë nga pesha? Përgjigja është po; nëse në letër njeriu
shënon me shkrim ushqimet që ha gjatë ditës. Sipas një studimi, personat që
mbajtën një ditar të rregullt ushqimor gjatë dietës ranë nga pesha dy herë më
shumë sesa personat e tjerë që ndoqën të njëjtën dietë.
Studimi ku u përfshinë
1700 persona që ndiqnin dietë tregoi se ata që mbajtën rregullisht shënime se
çfarë kishin ngrënë ranë nga pesha dy herë më shumë sesa të tjerët në grup që
nuk mbajtën shënime. Dhe sa më të hollësishme ishin shënimet aq më e madhe
ishte rënia nga pesha.
Shkencëtarët thonë se në raste të tilla, kujtesa nuk ndihmon dhe shpesh njerëzit janë të prirur të mos e vlerëzojnë sasinë e ushqimit që hanë, prandaj shënimi në një cope letër a bllok të ushqimeve që përdor shërben si një ballafaqim i tij me realitetin. Kjo gjithashtu ndihmon për të përcaktuar se cilat janë ushqimet që personi tundohet më shumë.