“Qenef dhe gjarpërinj”/ Korreshi publikon pamjet alarmante: Nxënësit në Thanë të Lushnjës mësojnë në kushte çnjerëzore

Pamje tronditëse vijnë nga një shkollë në fshatin Thanë, njësia administrative Fiershegan në Bashkinë Lushnjë, ku nxënësit detyrohen të zhvillojnë mësimin në kushte që cenojnë rëndë shëndetin dhe sigurinë e tyre. Denoncimi është bërë publik nga deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i cili ka shpërndarë një video nga ambientet e institucionit arsimor.
Në pamjet e publikuara shihen qartë tualete në gjendje të mjerueshme, jashtë çdo standardi higjieno-sanitar. Ato janë të degraduara, pa dyer dhe pa dritare, duke i bërë praktikisht të papërdorshme për nxënësit. Situata bëhet edhe më alarmante nga prania e gjarpërinjve në këto ambiente, çka e kthen shkollën në një vatër reale rreziku.
Gjendja e oborrit të shkollës e përkeqëson më tej panoramën, me mbeturina të shpërndara kudo, duke reflektuar mungesë totale mirëmbajtjeje dhe vëmendjeje institucionale.
Në reagimin e tij, Korreshi ironizon ashpër atë që e quan “reforma në arsim”, duke vënë në dukje hendekun e thellë mes deklaratave zyrtare dhe realitetit në terren. Ai e cilëson situatën si “ulëritëse”, ndërsa thekson se fëmijët në zonat rurale vazhdojnë të përballen me kushte të papranueshme.
“Kur thosha që kemi të bëjmë me qenefe, ju thonit ‘urdhëro se i keni’. Kjo është situata: qenef, banjo, ambient, gjarpërinj… Është ulëritëse! Faqe e zezë!”, shprehet deputeti në video.
Ky rast rikthen në vëmendje problematikat e thella të infrastrukturës arsimore në zonat rurale dhe ngre pikëpyetje serioze për ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, ndërsa kërkohet reagim urgjent për garantimin e kushteve minimale për nxënësit.