Qerimaj:Krenar që ia arrita të sjellë medaljen e artë në Shqipëri

Kampioni i Evropës në peshëngritje Erkand Qerimaj ka deklaruar se titullin e fituar në Antalia ia dedikon të gjithë shqiptarëve. Në një linjë telefonike për RTV “Ora News”, Qerimaj ka theksuar se ndihet shumë krenar që ia arriti të sjellë medaljen e artë në Shqipëri.
"Është një kënaqësi e madhe dhe jam shumë i gëzuar. Isha i vendosur për të bërë një luftë shumë të fortë me kundërshtarët e mi dhe ia dola. Ia dedikoj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi sepse është titulli i parë i Europës për ne dhe i takon të gjithve” ka theksuar Qerimaj.
Ai ka theksuar se së shpejti do të nisë edhe përgatitjet për Lojrat Olimpike që do të zhvillohen në Londër për të marrë edhe atje një rezultat shumë të mirë.
“Po përgatitemi të jemi gati edhe për Londrën. Synimet janë për medalje edhe në Londër. Kjo është diçka e arritshme pasi kam potenciale.Do stërvitem diku jashtë që të jem në të njëjtat nivele me kundërshtarët e mi” shtoi Qerimaj.
Erkand Qerimaj është shpallur kampion Europe për peshën 77 kilogranë në evropianin e Antalias (Turqi). Qerimaj u rendit i dyti në shkëputje me 158 kg dhe i pari në shtytje me 190 kg duke merituar medaljen e artë me 348 kg në dygarësh.