Qeveria Shqiptare do të paraqesë kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian
Kryeministri Berisha priti sot në takim Ambasadoren e Republikës së Çekisë në Tiranë, znj. Marketa Fialkova, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të BE-së nga Republika Çeke, për periudhën 1 janar-30 qershor 2009.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Ambasadores Fialkova mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për rëndësinë e veçantë që Presidenca Çeke e BE-së i ka kushtuar Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tij europiane, duke i vendosur hapat e mëtejshëm të integrimit të vendeve të rajonit ndër përparësitë kryesore të Presidencës Cceke së BE-së. Kryeministri Berisha e falenderoi Ambasadoren Fialkova edhe për rëndësinë që Presidenca Çeke e BE-së i ka kushtuar Kosovës në përparësitë e punës së saj për periudhën në vijim.
Pasi e falenderoi përzemërsisht për pritjen, Ambasadorja e Republikës Çeke në Tiranë e informoi Kryeministrin Berisha se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, Presidenca Çeke e BE-së do t`i kushtojë një vëmendje të veçantë dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, në përputhje me axhendën e Selanikut, si një ndër prioritetet kryesore të Presidencës.
Më tej Ambasadorja e Republikës Çeke në Tiranë vlerësoi reformat dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në veçanti gjatë vitit 2008, të cilat u reflektuan edhe në Progres-Raportin e fundit të Komisionit Europian. “Presidenca Çeke përkrah zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe do të mbështesë Shqipërinë në hapat e saj të mëtejshëm në procesin e integrimit europian”, u shpreh Ambasadorja Fialkova.
Znj. Fialkova i dorëzoi Kryeministrit Berisha programin e punës me përparësitë dhe fushat ku do të fokusohet vëmendja e Presidencës Çeke të BE-së në muajt në vijim.
Kryeministri Berisha i shprehu Ambasadores Fialkova mirënjohjen më të thellë për këtë mbështetje, që qeveria e Republikës Çeke, si Presidenca e radhës e BE-së, po i jep Shqipërisë, duke theksuar se integrimi europian është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha theksoi se vazhdimësia dhe thellimi i reformave, të cilat tashmë po japin rezultate të rëndësishme në shumë fusha, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare, si edhe aplikimi nga ana e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të BE, janë dhe mbeten përparësi kryesore të qeverise shqiptare për periudhën në vijim.
Duke shprehur edhe një herë mirënjohjen për Progres-Raportin e fundit të Komisionit Europian, në të cilin evidentohen qartësisht reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, Kryeministri i theksoi Ambasadores Fialkova se, së shpejti, qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën e saj për statusin e kandidatit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në fund të takimit, Kryeministri Berisha i përcolli Presidentit së Republikës Çeke, Klaus dhe Kryeministrit Topolanek përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta.
07/01/2009