E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ben bilancin per 2012

Këshilli i Ministrave zhvillon mbledhjen e fundit për këtë vit, një vit i veçantë ky për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë.

Fjala e kryeministrit Berisha nisi me vlerësimet për punën e qeverisë, që sipas tij, me reformat e saj bëri të mundur që vendi jo vetëm të mos binte në recesion, por të kishte edhe rritje ekonomike.

Pasi përmendi ndërtimin dhe reformat në arsim dhe infrastrukturën rrugore, kryeministri u ndal sërish tek akuzat ndaj opozitës.

“Qeveria meritoi me reformat e saj tërësisht nga Komisioni Europian marrjen e statusit kandidat. Por zoti Rama vendosi të lërë vendin pa status. Ai të keqen e vet do ta shndërrojë në të keqen për të gjithë të tjerët. 23 qershori do të shembë murin e bllokimit të zotit Rama dhe shqiptarët do të ecin të sigurtë drejt integrimit”, tha Berisha.

Duke u ndalur më pas tek censusi, kryeministri tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë treguan një Shqipëri krejt tjetër, një Shqipëri të zhvilluar.  Më pas Berisha tha se qeveria bëri të pamundurën për të qenë në lartësinë e duhur për festimet e 100-vjetorit. Pasi falenderoi ministrat dhe administratën, kryeministri u ndal tek puna e Komitetit Ndërministror të 100-vjetorit të cilit iu zgjat mandati për të përmbushur misionet e papërfunduara këtë vit, ndër të cilat kreu i qeverisë përmendi finalizimin e Muzeut të Spaçit, kthimin e kokës së Ali Pashë Tepelenës dhe eshtrave të Sami dhe Mithat Frashërit.

Risia në këtë mbledhje ishin akuzat e reja të kryeministrit ndaj kreut të socialistëve, të cilin e akuzoi për përfshirje të drejpërdrejtë në vjedhjen e pikturave dhe veprave të tjera artistike nga institucionet kulturore shqiptare.

“Rama të kërkojë falje publikisht për vjedhjen e pikturave. Për të mos thënë se Nano e akuzoi gjatë katarsisit se e mora në Paris tek shiste ikona të vjedhura. Ia ka thënë këtë. Për propagandë apo mbi bazë faktesh këtë s’e dimë, por e vërteta është kështu. Rama të dënojë këtë akt dhe të kthehen të gjitha ikonat dhe pikturat e marra nga institucionet e këtij vendi”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se qeveria do të lëvrojë një fond të ri për televizionin publik dhe misioni është çelja e programeve arsimore dhe historike që do të transmetohen në kanalin satelitor për të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Kjo tha kryeministri, duhet të arrihet në bashkëpunim me këto 3 vende.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›