E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Armenisë jep dorëheqjen, pritet krijimi i kabinetit të ri –

Qeveria e Armenisë dha dorëheqjen të dielën, në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës, pas mbledhjes së seancës së parë të Asamblesë Kombëtare të sapozgjedhur në kryeqytetin Jerevan.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Nikol Pashinyan përmes një mesazhi me video, ku theksoi se dorëheqja e kabinetit është një procedurë kushtetuese.

“Sipas nenit 158 të Kushtetutës, qeveria jep dorëheqjen ditën e seancës së parë të Asamblesë Kombëtare të sapozgjedhur”, deklaroi Pashinyan.

Sipas Kushtetutës armene, qeveria në largim do të vijojë të ushtrojë detyrat në mënyrë të përkohshme deri në krijimin e kabinetit të ri.

Seanca e parë e parlamentit u shoqërua me polemika, pasi për herë të parë në historinë e vendit, kreu i Kishës Apostolike Armene, Katolikosi i Gjithë Armenëve Karekin II, nuk u ftua të merrte pjesë. Vendimi u kritikua nga deputetët e opozitës.

Marrëdhëniet mes qeverisë dhe Kishës Apostolike Armene janë tensionuar vitet e fundit. Karekin II ka kritikuar vazhdimisht qeverinë e Pashinyanit për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me Azerbajxhanin, ndërsa kryeministri ka akuzuar drejtuesit e lartë të kishës për ndërhyrje në politikë.

Pas dorëheqjes, presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan, nënshkroi dekretin për pranimin e saj.

Partia në pushtet “Kontrata Civile”, e udhëhequr nga Pashinyan, fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura në qershor, ndaj pritet që ai të mandatohet sërish për të formuar dhe drejtuar qeverinë e re.

Në mesazhin e tij, Pashinyan bëri të ditur se partia e tij do t’ia paraqesë presidentit Khachaturyan kandidatin për postin e kryeministrit gjatë ditës së diel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›