Qeveria e Kosovës dënon dhunën ndaj ushtarëve të KFOR
Prishtinë, 28 shtator 2011, NOA Pas sulmeve të djeshme ndaj ushtarëve të KFOR-it, në afërsi të Jarinës, nga ekstremistë serbë Qeveria e Kosovës dënon fuqishëm dhunën e ushtruar.
Në një komunikatë për mediat të shfaqur në faqen zyrtare të kryeministrisë, Qeveria Thaçi shpreh vendosmërinë e saj për vendosjen e plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, për zhbllokimin e rrugëve, për lirinë e lëvizjes, në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
Reagimet e dhunshme që kanë ndodhur ndaj ushtarëve të KFOR-it janë reagime të njerëzve që janë kundër sundimit të rendit dhe ligjit, që identifikohen me struktura kriminale, me kontrabandë dhe krim të organizuar; thuhet në komunikatë, ku nënvizohet fakti se ekzekutivi i Kosovës do të vazhdojë me përkushtim punën për forcimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, në koordinim të plotë me KFOR-in, EULEX-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.
Qeveria e Kosovës i bën thirrje qytetarëve serbë të veriut të Kosovës të mos mbështesin njerëzit e dhunshëm dhe të mos mbesin peng i strukturave kriminale, por të kenë besim tek institucionet legjitime të Kosovës, për ti hapur rrugën zhvillimit dhe integrimit të gjithmbarshëm.
mit/NOA