E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Kosovës formon grupin e punës për Apelin ndaj katërshes së UÇK-së

PRISHTINË, 14 tetor/ATSH/ Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit për ish-krerët e UÇK-së.

Kryeministri Albin Kurti tha se dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Gjykata Speciale është i padrejtë juridikisht dhe përmban pasaktësi juridike dhe faktike.

Ai bëri të ditur se kryesues i këtij grupi punues do të jetë zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

“Aktgjykimin në shkallën e parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së e konsiderojmë të padrejtë, juridikisht dhe moralisht, si dhe me pasaktësi faktike dhe historike. Prandaj, punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e apelit. Siç kemi theksuar, për këtë nevojitet një strategji shtetërore dhe kombëtare. Një organizim që tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët. Për këtë arsye, po themelojmë grupin punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të bashkërenduar mbështetjen institucionale, juridike dhe diplomatike në funksion të procedurave të apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe mbrojtje të vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi ashpërsoi edhe masat ndaj Rusisë si pasojë e luftës në Ukrainë.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se qëllimi i vendimit është linjëzimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian.

“Qëllimi është linjëzimi i vazhdueshëm i politikës së jashtme të Kosovës me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Në kuadër të masave kufizuese, ky vendim parashikon përjashtime të përkohshme nga masat e ngrirjes së aseteve dhe burimeve ekonomike. Kjo bëhet me qëllim që t’u jepet hapësirë entiteteve për përmbylljen e sigurt të operacioneve dhe kontratave paraprake”, tha ai.

Krahas kësaj, qeveria dha mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Kryeministri Albin Kurti tha se Serbia, me bllokimin e përsëritur të mjeteve, po e shtrin diskriminimin edhe te ndihma që po ofrojnë për shqiptarët në Luginë.

“Serbia, me bllokimin e përsëritur të mjeteve tona, e shtrin diskriminimin edhe te ndihma që ofrojmë, duke penguar librat për nxënësit, mbështetjen për familjet dhe projektet për arsimin dhe kulturën në gjuhën shqipe. Beogradi duhet t’i japë fund kësaj praktike diskriminuese. Të drejtat e shqiptarëve nuk varen nga vullneti i autoriteteve serbe për t’i respektuar dhe përkushtimi ynë për t’i mbështetur nuk zbehet nga përpjekjet për t’i penguar ato”, tha ai.

Gjithashtu, qeveria mori vendim për t’i kërkuar presidentes, Justina Shiroka-Pula, t’i japë autorizim ministrit të Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, për nënshkrimin e marrëveshjeve për njohjen e sigurimeve sociale me Austrinë dhe Turqinë.

Ministri Hoti tha se ky vendim do të krijojë një bazë të re ligjore dhe do të mundësojë që qytetarët e Kosovës që kanë punuar për një kohë të gjatë në Austri dhe Turqi të kenë mundësinë të marrin pensionin në Kosovë dhe anasjelltas.

Gjithashtu, ministri Hoti paralajmëroi njohjen e sigurimeve sociale me Austrinë dhe Turqinë.

“Kjo u siguron qytetarëve të të dyja vendeve njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve sociale për përfitimin e pensioneve. Kjo nënkupton se qytetarët e Kosovës që kanë punuar për një kohë të gjatë në Austri do të kenë mundësi që, pas arritjes së moshës së pensionimit, të marrin pensionin në Kosovë apo anasjelltas, kudo që ata jetojnë”, tha ai.

Ndër vendimet e tjera të qeverisë ishin edhe miratimi i Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (MPB) dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë (MPBZHR)./KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›