Qeveria e Republikës Sërpska miraton ligjin për “agjentët e huaj”

Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar një projektligj, që i kërkon organizatave jofitimprurëse të financuara nga jashtë që veprojnë në njësinë serbe të Bosnjës, të regjistrohen si agjentë të huaj dhe të raportojnë për punën e tyre.
Sipas Radio Europa e Lirë, udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik u shpreh se legjislacioni do t’u kërkojë organizatave të financuara nga jashtë që veprojnë në Republikën Sërpska – që entiteti i serbëve të Bosnjë dhe Hercegovinës – të raportojnë të gjitha veprimet e tyre.
Projektligji, i cili është i ngjashëm me ligjin rus që liston si agjent të huaj këdo që merr financime nga jashtë por edhe që konsiderohet se është nën ndikimin e huaj, do të kalojë në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska për debat. Kjo do të pasohet nga një periudhë dymujore për diskutim publik. Një version i përshtatur i ligjit do të kthehet më pas në Asamblenë Kombëtare për më shumë diskutim dhe votim. Nëse kalon, ligji do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të presidentit.
Dodik ka thënë më parë se projektligji bazohet në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së, por zyrtarët amerikanë ndërkohë kanë argumentuar se Rusia përdor ligjin për agjentët e huaj për t’iu mbyllur gojën disidentëve dhe për të goditur shkëmbimin e lirë të ideve dhe se nuk ka ngjashmëri mes ligjit amerikan dhe atij rus.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/