E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria firmos me gazsjellësin TAP, pranon kushtet e operimit

Ard Kola

Investimi

Vlera e investimit, rreth 1 miliard euro. Vendimi final pritet në qershor 2013

Investimi i TAP në pjesën shqiptare llogaritet në 1 miliard euro për afro 209 km tubacione

Florion Mima duke firmosur per TAPMinistria shqiptare e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Projekti i Gazsjellësit Transadriatik (TAP) nënshkruan dje Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës (MQP) duke rënë formalisht dakord mbi termat e angazhimit për të ardhmen e tubacionit të Korridorit Jugor të Gazit. Marrëveshja me Qeverinë e Vendit Pritës përcakton rregullat sipas të cilave projekti do të realizohet dhe do të operojë në territorin shqiptar.

Kjo përfshin procese të blerjes dhe servitutit të tokës, zbatimin e standardeve teknike, të sigurisë për komunitetin, si dhe rregulloret për lejet. Pas ratifikimit të pritshëm nga Kuvendi në javët në vazhdim, MQP-ja do të kthehet në një ligj të plotë dhe të zbatueshëm. Është firma ime e parë në këtë institucion dhe kjo më bën vërtet krenar, që kjo firmë përkthehet në miliarda dollarë investime të drejtpërdrejta ose indirekte, në mbi 20 mijë vende pune, në më shumë të ardhura dhe në jetë më të begatë për qytetarët shqiptarë”, tha ministri Florion Mima.

TAP është një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja në Shqipëri, që do të sillte prurje madhore të ardhurash në vend. Për më tepër, projekti do të luajë një rol madhor në zhvillimin e tregut shqiptar të energjisë, si dhe në çuarjen përpara të objektivit të qeverisë për tu kthyer në një nyje gazi në Europën Juglindore. Pikat e planifikuara të daljes në vend dhe një instrument i rrjedhjes në drejtim të kundërt do të ndihmojnë në përforcimin e sigurisë së furnizimit, ndërsa ekziston edhe një mundësi për zhvillimin e depozitave të gazit natyror në Fier.

Sot (dje) vendoset një tjetër gur i rëndësishëm themeli për Projektin e Gazsjellësit TransAdriatik, duke treguar edhe njëherë gatishmërinë tonë për të përmbushur afatet kohore të Konsorciumit të Shah Deniz-it, deklaroi Kjetil Tungland, drejtori menaxhues i TAP.

Gazsjellësi do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan, përmes Greqisë dhe Shqipërisë, për në Itali, prej ku mund të transportohet më tej për në Europën Perëndimore, në sasi nga 10 deri në 20 miliardë metër kub në vit.

Pjesa e Shqipërisë ku do të shtrihet tubacioni TAP do të fillojë në Bilisht Qendër në rajonin e Korçës në kufirin shqiptaro-grek dhe do të shtrihet për rreth 209 km deri në zonën bregdetare në veri të Fierit ku do të futet në Detin Adriatik. Pjesa detare shqiptare do të jetë 60 km e gjatë, kurse i gjithë investimi vlerësohet në 1 miliard euro. Vendimi final nëse TAP do të miratohet nga Azerbajxhani do të merret në qershor 2013.

A.K.

Aksionerët - Gazsjellësi TAP përfshin tre aksionerë, të përbërë nga Axpo i Zvicrës (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON Ruhrgas i Gjermanisë (15%)

Qeveria firmos me gazsjellësin TAP, pranon kushtet e operimit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›