Qeveria kosovare kundër marrëveshjes së KFOR-it me Serbinë

Qeveria e Kosovës, e ka cilësuar si të papranueshme marrëveshjen e arritur mes Gjeneralit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe zyrtarit serb, Borisllav Stefanoviç, të përmbledhur në tri pika. Në momentin që Qeveria e Kosovës po bëhej gati të lëshonte komunikatën për media, ku refuzonte marrëveshjen e KFOR-it, një zyrtare e lartë e Qeverisë, e pohonte të kundërtën. Zv.kryeministrja e Kosovës, dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila i tha emisionit Interaktiv nëpërmjet telefonit se marrëveshja është e mirëseradhur dhe pas konsultimeve që ka pasur me Komandantin e KFOR-it, është e bindur se qëllim kryesor ka largimin e barrikadave. Por brenda pak minutash, fjalët e Lilës dolën se ishin të pavërteta. Qeveria e Kosovës komunikoi në pak rreshta përmes komunikatës duke mos e pranuar marrëveshjen e arritur nga KFOR-i me përfaqësuesit serbë, më konkretisht gjeneralit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe zyrtarit serb, Stefanoviç, të përmbledhur në tre pika. “Qeveria e Republikës së Kosovës, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur e autonom në vendim marrje, njofton opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar se kjo draftmarrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës. Më tej theksohet se Qeveria e Kosovës do të respektoj në përpikëri masat e reciprocitetit me Serbinë. Shefi i ekipit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, deklaroi se nëse është e vërtetë se qeveria e Kosovës nuk bie dakort me marrëveshjen e arritur ndërmjet KFOR-it dhe zyrtarëve serbë, kjo “do të ishte shumë e dëmshme për stabilitetin e përgjithshëm”. Ai vlerësoi se marrëveshja e arritur është e mirë për qetësimin e situatës dhe kthim në procesin e bisedimeve.