E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendimin për zgjatjen me tre vjet të afatit të moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë

-          Kryeministri theksoi se ky vendim është dëshmi e vullnetit të hekurt të kësaj mazhorance, për t’i dhënë përgjigjen më të mirë mafies dhe për të parandaluar krimin
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e radhës vendimin për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria e merr këtë vendim për të zgjatur afatin në kuadrin e luftës kundër trafiqeve dhe mafies.
“Këto mjete të vogla dhe të shpejta lundrimi nuk kanë asgjë të përbashkët me turizmin, por janë tërësisht industri e mafies dhe trafiqeve, ndaj dhe si një dëshmi e vullnetit të hekurt të kësaj mazhorance, për t’i dhënë përgjigjen më të mirë, për të parandaluar krimin dhe mafien ne zgjasim edhe tre vjet të tjera dhe vazhdimisht deri sa të jemi në pushtet këtë moratorium.”
Kryeministri vuri në dukje se zbatimi i moratoriumit ka patur efekte jashtëzakonisht pozitive, pasi gjatë këtyre katër viteve fatmirësisht nuk janë shënuar viktima në Otranto dhe brigjet e tjera të vendit, “Ndërkohë që para moratoriumit, vetëm të regjistruar janë 420 burra , gra , fëmijë , të cilët kanë humbur jetën në thellësitë e ujërave të ftohta të Jonit apo të Adriatikut.”
Duke theksuar se tashmë shqiptarët po shkojnë drejt lëvizjes së lirë  dhe heqjes së vizave, Kryeministri u shpreh se ujrat shqiptare do të jenë të pastra prej këtyre mjeteve të përdorura për qëllime kriminale. “Heqja e vizave është përgjigja më e shkëlqyer e dëshirave, nevojave, problemeve të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur në hapësirat e BE-së. Kështu që sërish famëzezat skafe mbetën vetëm për trafiqe kriminale, ndaj dhe ujërat tona do të jenë të pastra prej tyre. Mendoj se është një masë adekuate, shumë  e përshatashme në betejën e shpallur në luftën me zero tolerancë ndaj mafies”.
 
 11/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›