E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Qeveria plotëson kërkesën e prodhuesve, rrit çmimin e shitjes së energjisë

Nuk do të shesin ende energji me 8 lekë për kilovatorë, duke filluar nga dita e botimit në fletoren zyrtare të vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave. Vendimi i zbardhur tashmë në faqen zyrtare të qeverisë ndryshon vendimin e pesë viteve më parë që caktonte kufirin e sipërm të çmimit të shitjes së energjisë.

Sipas këtij vendimi, të gjithë prodhuesit e energjisë që kanë të instaluar fuqinë der në 15 megavat orë do të përfitojnë nga rritja e çmimit. Kjo ishte kërkesa e tyre e dy viteve të fundit e debatuar në çdo tryezë të tyre me ministrinë përgjegjëse për energjinë.Vendimi hyn në fuqi sapo të botohet në fletoren zyrtare.

Pas këtij vendimi, ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a. vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike në përputhje me çmimin e përcaktuar, në bazë të metodologjisë së miratuar të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.”.

Sipas Enti Rregullator të Energjisë prodhuesit me përparësi të energjisë, për vitin 2021 pagueshin me të njëjtën tarifë prej 8.0532 Lekë/kWh. Kjo e fundit në raportin vjetor të Bursës Hungareze.

Sipas metodologjisë formula që nxjerr çmimin vjetor të blerjes (Lekë/kWh) është : Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX/DAM) i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kWh X bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.2 X normën mesatare të këmbimit në Euro/Lekë për vitin e fundit.

Vendimi i fundit i qeverisë përcakton metodologjinë e caktimit të çmimit, që vendos tavanin e çmimit. Kjo do të thotë se, për të ndryshuar tarifat në 10 lekë/kWh , pas këtij vendimi, do të jetë Enti Rregullator i Energjisë, që duhet të ndërmarrë procedurat zyrtare për caktimin e çmimit të ri.

Prodhuesit me përparësi të energjisë janë kryesisht HEC-et deri në 15Megavat, të cilëve energjia ju blihet, sipas një tarife të përcaktuar në bazë vjetore, nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Po këtë vit qeveria ka propozuar projektligjin “Për kontributin e solidaritetit”, që nënkupton taksim shtesë për një pjesë të prodhuesve të energjisë elektrike, nga miratimi i së cilës kompanitë që preken nga ligji i ri do të duhet të paguajnë në prill dhe në nëntor detyrimin që parasheh ligji i ri, të ardhura që do të përdoren në maj për të rritur pensionet e pleqërisë.

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›