E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rikthen Bordin e Transparencës dhe ul akcizën e naftës me 20%

Qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve dhe të ndërhyjë në nivelin e akcizës së naftës.

Burime pranë Ministrisë së Ekonomisë bëjnë të ditur për RTSH se është vendosur ulja me 20% e akcizës, nga 39.6 lekë që është aktualisht.

Sipas të njëjtit burim, çmimet e karburanteve do të kenë tavan dhe mbi to nuk mund të tregtohet, pasi parashikohen penalitete.

Në mbledhjen e zhvilluar mbrëmjen e djeshme, qeveria ka përcaktuar vetëm marzhet e fitimit dhe mënyrën se si do të funksonojë Bordi i Transparencës, konkretisht marzhi i fitimit pritet të jetë 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për tregtinë me pakicë.

Pak ditë më parë, në mbledhjen e zhvilluar me furnizuesit e karburanteve, qeveria e kishte parë si të arsyeshme të mos rikthente Bordin e Transparencës, duke argumentuar se rritja e çmimit të naftës pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme kishte qenë e moderuar.

Në atë takim, kryeministri Edi Rama theksoi se nuk kishte vend për rishikim të taksave. Qeveria ka theksuar se që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, është ngritur një Taskforcë për monitorimin e çmimeve, e cila ka konstatuar se nuk ka pasur abuzime nga kompanitë, duke qenë se rritja në bursat ndërkombëtare ka qenë 80%, ndërsa në tregun vendas vetëm 24%.

Gjithashtu, po punohet për ngritjen e një enti publik që do të mbajë rezervat e detyrueshme të karburantit.

Draftligji për këtë është gati dhe pritet të kalojë në konsultim publik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›