Qeveria zgjeron mbrojtjen sociale për ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuar

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa në vendimin “Për një mbrojtje të veçantë nga shteti për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç”.
Me ndryshimet e miratuara sot vendimi përfshin edhe ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuar.
Ndihmësve personalë të personave me aftësi të kufizuar, që nuk janë ekonomikisht aktivë dhe nuk përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore, periudha e kujdesit ndaj personave me aftësi të kufizuar u njihet si periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.
I njëjti parashikim zbatohet edhe për ndihmësit personalë të përfituesve sipas ligjit “Për statusin e të verbrit”, të cilët nuk janë ekonomikisht aktivë dhe nuk përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore.
Sipas vendimit, bashkitë përcaktojnë listat e ndihmësve personalë dhe çdo muaj llogarisin e kryejnë pagesën e kontributeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.
Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
/m.m/a.f/