Qiratë e pronave shtetërore, procedura të reja dhe aplikim online

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Bizneset që synojnë të marrin në përdorim pasuri shtetërore do të përballen me rregulla të reja për aplikimin, vlerësimin e ofertave dhe përcaktimin e tarifave, sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, i botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas relacionit, udhëzimi përcakton një procedurë të standardizuar për dhënien me qira, enfiteozë dhe forma të tjera të përdorimit të pasurisë shtetërore, duke përfshirë edhe një sërë kërkesash të reja për subjektet private.
Një nga elementet kryesore lidhet me mënyrën e zhvillimit të procedurave. Institucionet publike do të publikojnë informacionin dhe dokumentacionin përkatës në faqet e tyre zyrtare, ndërsa ofertat do të dorëzohen elektronikisht. Komunikimi me ofertuesit do të kryhet përmes adresave zyrtare elektronike.
Në vlerësimin e ofertave nuk do të merret në konsideratë vetëm niveli i qirasë. Pikëzimi do të bëhet mbi bazën e kritereve të përcaktuara për secilën pasuri dhe aktivitet, ndërsa edhe një ofertë e vetme e vlefshme duhet të kalojë procesin e vlerësimit.
Rregullat e reja përcaktojnë edhe një bazë minimale për tarifat e qirasë. Për ndërtesat, tarifa dysheme është 0,3% e vlerës mesatare të shitblerjes së banesave në zonën përkatëse. Për Tiranën, kjo përkthehet në një tarifë minimale prej 372,95 lekësh për metër katror në muaj.
Në rastin e një objekti 100 m², qiraja minimale mujore llogaritet 37 295 lekë. Nëse në kontratë përfshihet edhe sipërfaqe funksionale, ajo tarifë llogaritet në masën 20% të tarifës së ndërtesës.
Udhëzimi vendos rregulla të veçanta edhe për pasuri të tjera. Për tunelet dhe vendstrehimet zbatohet një tarifë sa një e pesta e tarifës së ndërtesave, ndërsa për sipërfaqet e përdorura për terminale transporti tarifa minimale është përcaktuar në 20 lekë për metër katror.
Një tjetër mundësi e parashikuar është rishikimi i planbiznesit gjatë zbatimit të kontratës. Subjektet mund të kërkojnë ndryshimin e investimit, afateve, vendeve të punës apo kapaciteteve prodhuese kur përballen me rrethana objektive dhe të paparashikuara, si vonesa në leje e licensa, probleme teknike ose infrastrukturore, ndryshime ligjore dhe urbanistike apo raste force madhore.
Ndryshimet, sipas udhëzimit, duhet të jenë të kufizuara në masën e nevojshme për përballimin e rrethanës që ka shkaktuar pengesën dhe nuk mund të përdoren për të ndryshuar në mënyrë të pakufizuar detyrimet e kontratës.
Për aktivitetet prodhuese në regjim fason parashikohet gjithashtu mundësia e kalimit të disa kontratave ekzistuese në kontrata me tarifën simbolike “1 euro/kontrata”, me kusht që subjektet të provojnë aktivitetin fason, investimet, nivelin e punësimit dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktore.
Udhëzimi përcakton në këtë mënyrë një kuadër më të unifikuar për përdorimin ekonomik të pronës shtetërore dhe rrit transparencën e procedurave për subjektet private të interesuara.
/e.xh/r.e/a.f/