E Diel, 1 Nëntor 2026

Qosja Berisha autokrat pa autoritet

Akademiku Rexhep Qosja ka deklaruar në emisionin “Fiks Fare” se kryeminsitri shqiptar Sali Berisha është një autokrat pa autoritet që sjell një anarki në kërkesat e tij për rishkrimin e historisë.

Në një intervistë të transmetuar në puntatën e së enjtes në Top Channel, Qosja ka folur për deformimin e historisë së Shqipërisë dhe ka bërë një krahasim mes udhëheqësit komunist Enver Hoxha dhe kryeministrit Berisha.

“Historia e Shqipërisë në këto 100 vjet është histori me shumë gabime, gabime që ia kanë shkaktuar të huajt por edhe vetë shqiptarët. Enver Hoxha ishte komunist. Ai donte edhe të tashmen, por edhe të kaluarën. Ai ishte parimor në kërkesën e tij, pavarësisht se ka sjellë deformime. Por Enver Hoxha ishte një udhëheqës autoritar, ndërsa ky i tanishmi është një autokrat pa autoritet. Ky praktikisht sjell një anarki me kërkesat e tij për rishkrimin e historisë. Ekziston anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia patriotike dhe ajo ideale. Autokrati i sotëm i Shqipërisë shkakton anarki politike dhe historiografike”, ka deklaruar Qosja.

Akademiku i njohur është shprehur me tone disi kritike ndaj popullit shqiptar që duron regjimin e Sali Berishës, i cili sipas tij nuk është aq i fuqishëm sa duket.

“Qëndrimi i gjatë në pushtet i Sali Berishës nuk flet për fuqinë e këtij njeriu, por për dobësinë e të tjerëve, dobësinë e popullit shqiptar që e duron gjatë. Habitem se si e duron kaq gjatë”, ka vlerësuar Qosja.

Ai ka shpjeguar edhe arsyet se përse Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk e ka ftuar në konferencën që do të organizojë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

“Akademia e Shkencave do mbajë një konferencë solemne për 100-vjetorin e Pavarësisë, ku unë nuk jam ftuar, pavarësisht se është kërkuar nga organizatorët. Kjo nuk më ka shkaktuar ndonjë shqetësim. Por mua nuk më kanë ftuar se Akademia ende nuk ka krijuar pavarësinë politike, shkencore e intelektuale që duhet ta ketë një institucion. Drejtuesit e saj druhen se çfarë mund të them unë aty e që s’do të dëgjohet mirë nga qeveria, e cila do të shqetësonte akademinë”, ka sqaruar Qosja.

Më tej gazetari i emisionit “Fiks Fare” i ka dhuruar profesorit të njohur Rrotën e Fiksit, të cilën ai e ka mirëpritur dhe ka thënë fjalët më të mira për emisionin investigativ.

“Jam i nderuar që më jepet simboli i emisionit “Fiks Fare”. “Fiksi” është një institucion, pasi është më tepër se një emision. “Fiks Fare” ka ndihmuar Shqipërinë për demokratizimin e saj dhe të një seri institucionesh shtetërore. Ka denoncuar gënjeshtra, mashtrime, korrupsion dhe për këtë arsye ky emision dhe drejtuesit e tij janë heronjtë e vërtetë. Gjithë stafit të “Fiks Fare” i uroj përkushtim të mëtejshëm dhe suksese sa deri tani. Do dëshiroja që një “Fiks Fare” ta kishte edhe Kosova”, është shprehur Qosja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›