E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët në protestën e 59-të kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Protesta e qytetarëve në Tiranë vijoi sot për të 59-ën ditë radhazi, me pjesëmarrësit që u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë.

Protesta, e nisur fillimisht në kundërshtim të investimit në Zvërnec, u shoqërua me thirrjet “Revolucion” dhe “Rama ik”.

Protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj investimit në Zvërnec, ndërsa artikuluan edhe kërkesa të tjera që lidhen me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që e cilësojnë “kastë të vjetër politike”.

Një qytetar pjesëmarrës në protestë deklaroi se njerëzit kanë humbur besimin te qeveria dhe kërkojnë ndryshim.

Një tjetër protestues u shpreh se “e vetmja gjë që na largon nga ky shesh është dorëheqja e Edi Ramës”. “Kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës, qeveri tranzitore 12-muaj që të mundësojë ndryshimet kushtetuese, strukturën shtetërore. Ajo që i hap rrugën është dorëheqja e Ramës”, u shpreh ai.

Aktivistja Arvina Lleshi rendit 10 arsyet për të protestuar. “Arsyet për të protestuar janë të shumta dhe unë do të rendis 10 prej tyre: Protestojmë sepse 26 persona humbën jetën në Gërdec më 15 mars 2008; sepse shumë shkolla s’kanë laboratorë dhe palestra; për shpopullimin; për çmimet e aparatamenteve, na duhen dy jetë dhe s’i blejmë dot; për check up; për kullat; për lumenjtë; sepse ju nuk e ngrini zërin për ne; protestojmë sepse duam dorëheqje; për mungesën e transparencës”, tha ajo.

Një i ri pjesëmarrës në protestën para Kryeministrisë ka bërë thirrje për vijimin e rezistencës qytetare, ndërsa ka kërkuar që policia të mos përdoret për përplasje me protestuesit. “I bëj thirrje policisë, mos u përdorni. Jeni më keq se kolegët tuaj në BE”, tha ai.

Mjeku Ermal Pashaj u shpreh se protesta do të vijojë dhe se qytetarët nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

“59 ditë protestë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Nuk mposhtet shqiptari! Ka mes nesh që gjykojnë se kjo e arriti qëllimin. Por unë ju them se ku mbaron durimi, duhet të fillojë vetëkafshimi. Njerëzit nuk duhet të lëshojnë. Nuk ka asnjë institucion që respekton dinjitetin e popullit. Nuk po kërkon shqiptari asgjë tjetër veç se të përfillet dinjitet i tij”, shtoi ai.

Pas fjalimeve të protestuesve para godinës së kryeministrisë, qytetarët vijuan marshimin në rrugët e Tiranës.

Protesta kundër investimit në Zvërnec, Foto: Florian Abazaj 1 nga 7

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›