Qytetarët sërish në protestë për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Qytetarët dolën sërish sot në protestën e katërt pas ngjarjes së së rëndë të ndodhur jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku u vra 14-vjeçari Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu dhe plotësimin e kushteve për rritjen e sigurisë në shkolla.
Ata u mblodhën te shkolla “Fan Noli”, nga ku marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Një prej qytetarëve tha se duhet një ndryshim jo thjesht të një ministri, por të politikave në raport me sigurinë e fëmijëve në shkolla.
“Duhet një buxhet më i madh për arsimin dhe përmirësim e sigurisë në shkolla”, tha një tjetër protestuese.
Gjatë protestës u lexua edhe një mesazh prekës i prindërve të Martinit.
“Martini ynë i shtrenjtë, sot dhimbja është e pafund, zemrat tona janë të copëtuara nga humbja jote e padrejtë dhe e pakuptueshme. Ti ishe një dritë e pastër, një fëmijë plot ëndrra dhe dashuri, i cili preku zemrat tona me qetësinë dhe gëzimin tënd të brendshëm. Një akt i trishtë dhe i pashpirt na mori ty nga kjo botë, por ne e dimë se tani je lart, mes engjëjve, duke na mbrojtur. Tani je një yll që shkëlqen në qiell, një engjëll që na sheh me buzëqeshjen tënde të ëmbël, duke na dhënë forcë dhe ngushëllim në këtë kohë të vështirë.
Nuk është e lehtë ta pranojmë këtë dhimbje, por kujtimi yt do të mbetet i gjallë përgjithmonë. Çdo herë që shohim qiellin, do të të ndjejmë pranë, duke na kujtuar të dashurojmë më shumë, të falim dhe të mbrojmë njëri-tjetrin.
Martin, pusho në paqe, engjëlli ynë i vogël. Të duam pafund dhe do të të mbajmë gjithmonë në zemrat tona. Kujtimi yt do të jetë gjithmonë një dritë që na udhëheq”, është mesazhi i lexuar gjatë protestës.
Kërkesat e shoqërisë civile janë:
– Plotësimi e 100% të shkollave me psikologë, një psikolog për 200 nxënës.
– Qëndrimi i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00 duke iu afruar programe ushqimi dhe mundësie të bërjes së detyrave në shkollë.
– Zbatimi i rregullave për heqjen e telefonave në orarin e mësimit duke sanksionuar ata që nuk zbatojnë rregullat.
– Monitorimin e rreptë të platformave audiovizuale e digjitale, nga autoritetet që dukshëm shërbejnë vetëm për marrjen e rrogës, AMA, AKEP.
– Për të siguruar bllokimin e përmbajtjen jo etike të dhunshme si në hapësirën digjitale e publike.
– Caktimi në çdo shkollë i një oficeri sigurie duke rishikuar detyrat dhe rolin e tyre.
– Krijimi i një sistemi raportimi efektiv të rasteve ku ndërlidhen institucionet përgjegjëse e komuniteti i prindërve.
(vijon…)
Protestë për vrasjen e Martin Cani, Foto Agim Dobi 1 nga 8/k.s/a.f/r.e/