Qytetarët të gatshëm të ndalin rrënimin mavi që Rama po i sjell Shqipërisë
Nisma e Edi Ramës për t’i thënë Stop rrënimit që po kryejnë kryebashkiakët socialistë të Durrësit, Vlorës, Himarës e Sarandës është autoakuzë që nxjerr zbuluar filozofinë mavi. Planet e biznesit të Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës pritet ta përhapin këtë skemë rrënimi në të gjithë vendin, prandaj kryeministri Berisha u bën thirrje qytetarëve që të jenë gati për përballimin e këtij rrënimi të shpallur si filozofi qeverisëse
Deklarata/Berisha: “PS 2 vjet më parë rrënoi bregdetin, tani radha e Shqipërisë”
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me nismën e PS për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetit. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Berisha thekson se fitorja e kandidatëve të PS-së 2 vjet më parë në gjitha komunat dhe bashkitë bregdetare të vendit solli rrënimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje duke u faktuar si pushtet i rrënimit. Berisha i bën thirrje qytetarëve të jenë gati për të ndalë rrënimin e vendit nga mazhoranca e re. “Nga rrënimi mavi i brigjeve tek rrënimi mavi i mbarë vendit! Të dashur miq, dy vjet më parë Partia Socialiste festoi fitoren nga kandidatet e saj në të gjitha bashkitë dhe komunat bregdetare të vendit. Pas dy vitesh, sipas vetë dyshes Rama - Kokëdhima, kjo fitore mavi solli rrënimin e bregdetit tonë nga ndërtimet pa leje. Pra, siç pohojnë vetë, në dy vjet pushteti mavi në bashkitë dhe komunat bregdetare u faktua si pushteti i rrënimit në këto zona. Merreni me mend rrënimin dhe katastrofën që mund të sjellë në mbarë vendin pushteti mavi i Piktorit që doli nga mashtrimet anti-globaliste dhe krimi??? Qytetarë duhet të jemi gati kundër rrënimit dhe katastrofës mavi!”, shkruan Berisha në rrjetin ‘Facebook”.
Ndërkaq kryeministri në ardhje Edi Rama po vazhdon sulmet kundër kryebashkiakëve të PS, të cilët i sheh si pengesa kryesore për bizneset e tij private. Me një thirrje publike, ai kërkon të mbledhë denoncime për të gjithë bashkiakët e tij, si mënyra e vetme për t’i mbajtur nën shantazh. I pari objektiv i sulmeve të përditshme të kreut të PS, vijon të jetë kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i ndjekur nga ai i Durrësit, Vangjush Dako dhe për tu pasuar me Stefan Çipën e Sarandës. Dorasi i killerazhit mediatik kundër tyre, është angazhuar Koço Kokëdhima i cili po shfrytëzon një vizitë përgjatë rivierës dhe nga ku po denoncon përditë batërdinë e bajraktarëve të vegjël socialistë, siç i quan ai. Sipas tij, Shpëtim Gjika, Stefan Çipa dhe Gjergji Goro, janë marrë peng nga qiraxhinjtë e bregdetit, të cilët kanë parcelizuar hapësirat publike, duke i shndërruar në çifligje private. Ai flet se bregdeti është në dorë në disa “zaptuesve”, pa specifikuar kontretisht, por fakti që i drejtohet drejtuesve vendorë, do të thotë se në fokusin e akuzave të tij janë kryebashkiakët e PS që drejtojnë njësitë vendore përgjatë bregdetit. Kjo është në sinkron me mesazhin e përcjellë nga Edi Rama nëpërmjet nismës: “StopRrenimit.com, që është hapësira ku gjuithkush mund të denoncojë ndërtimet me leje dhe të supozuara pa leje. Këto ndërtime janë bërë në territorin e administruar nga kryebashkiakët dhe kryekomunarët e bregdetit, të cilët janë pothuajse të gjithë të qeverisura nga socialistët prej disa mandatesh. Nëse ka ndërtime me leje dhe pa leje në Vlorë jashtë çdo lloj kriteri urbanistik është përgjegjësi e Shpëtim Gjikës, i cili është kryetar bashkie prej vitit 2003. Ai ka pasur 10 vite kohë të denonconte ndërtimet pa leje në zonën në të cilën administron. Po ashtu është rasti i Vangjush Dakos në Durrës, që ndërtimet pa leje janë në numra të barabartë me ato me leje, pavarësisht se të dytët paguajë faturën financiare në shtet, ndërsa ata pa leje, diku tjetër.
Sido që të jetë, fushata stoprrënimit.com e Edi Ramës, kryeministër në ardhje është e drejtuar në goditjen e kryebashkiavëve socialist të Bregdetit të Lezhës, Durrësit, Vlorës, Himarës dhe Sarandës, që kanë mjete presioni politik dhe financiar. Edi Rama kërkon t’u heqë kompetencat kryebashkiavëve dhe qeverisjes vendore duke i marrë për vete në dorë. Edi Rama do të vendosë me policinë e tij ndërtimore kush mund të ndërtojë dhe kush jo, kush paguan taksat dhe tatimet dhe kush jo, kush legalizon shtëpinë dhe kush jo. Me një llaf jemi përballë një dëshire për autotarizëm të shfrenuar që ka filluar pa marrë pushtetin.