Qytetarët vijojnë me protestën para Kryeministrisë

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej”, në protestën e 78-të kundër investimit në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Gjithashtu, kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe e gjithë qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese dhe miratimi i tyre me referendum, ku përfshihen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Pjesë e protestës së sotme ishin edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët përcollën mesazhe për ndryshim politik.
Sikurse në çdo protestë tjetër, pas fjalimeve, protestuesit vijuan me marshimin në rrugët e Tiranës.
/e.i/a.f/