E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët vijojnë protestën në Tiranë

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Pas protestës së zhvilluar para Kuvendit, qytetarët kanë nisur  marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, duke vijuar protestën e 101-të kundër investimit në Zvërnec.

Gjatë lëvizjes së tyre janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.

Protesta nisi në orën 17:00 para godinës së Kuvendit, ku gjatë pasdites u shënuan edhe tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Disa qytetarë janë shoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit pas përplasjeve dhe bllokim të akseve rrugore.

Pas qëndrimit për disa minuta në formën e një akti të mosbindjes civile përpara Kryeministrisë, protestuesit u nisën në marshim në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës aty ku dhe janë shoqëruar disa protestues.

Pas qëndrimit pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, protestuesit kanë ndryshuar itinerarin e marshimit, duke u drejtuar drejt zonës së 21-Dhjetorit.

Protestuesit janë ndalur te ura e Vasil Shantos, ku kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin e mjeteve, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në këtë aks.

Gjatë protestës, ata kanë bërë thirrje për lirimin e personave të shoqëruar në komisariatet e kryeqytetit.

E emërtuar si “Revolucioni Flamingo”, protesta nisi më 31 maj si reagim kundër ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec.

Tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Aktivistët kanë paralajmëruar gjithashtu vijimin e protestës dhe përshkallëzimin e aksionit qytetar.

Protesta e 101-të; fotoreporter: Florian Abazi 1 nga 5

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›