E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët vijojnë protestën në ditën e 63-të në Tiranë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Qytetarë, aktivistë dhe pjesëmarrës të ardhur nga diaspora u mblodhën pasditen e sotme në kryeqytet, në protestën e 63-të kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec si dhe me kërkesat për largimin e qeverisë dhe klasës së vjetër politike.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kërkesat, veç anulimit të projektit në Zvërnec, janë edhe politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Arben Kola tha se “mërgata sot është e pranishme, kemi nga Gjermania, Italia, Franca, Belgjika, Zvicra. Nëse shqiptarët nuk zgjohen, mërgata nuk do ta lërë vendin në dorën e tradhtarëve. Do t’ju tregojmë se mund të manipuloni një pjesë të shqiptarëve brenda atdheut, por jo ata jashtë. Shqiptarët do të binden se do ta rrëzojmë Ramën nga karrigia dhe do ta shpallim non grata së bashku me Bajram Begajn dhe Ferit Hoxhën”.

Një qytetar që jeton jashtë, tha se “kam 30 vjet që jetoj jashtë vendit, fëmijët kanë ardhur këtu dhe nuk kanë asnjë të ardhme”.

Një tjetër aktivist në fjalën e tij u ndal tek reforma territoriale duke theksuar se “përveç protestës në Tiranë, këto ditë janë mbajtur edhe protesta në qytete, sepse kërkojnë të shkrijnë një sërë bashkish të vogla. Sot ishim në Belsh për t’i mbështetur. Sot iu bëj thirrje të gjithëve që duhet të jemi për decentralizim dhe jo centralizim të mëtejshëm”.

Një ri në fjalën e tij tha se “jemi këtu për qëllimin më të madh, po tregojmë se jemi të bashkuar. Ky zë dhe bashkim i ka mbytur zërat e tyre. Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe që kemi dashur, kërkojmë që kryeministri të japë dorëheqjen. Siç e keni parë qeveria kërkon shpopullim duke mbyllur bashki dhe duke lënë njerëzit në harresë. Ka bashki historike dhe ai kërkon ti mbyllë”.

Ai kërkoi nga kryeministri Rama që ti lërë njerëzit të vendosin nëse duan apo jo bashki.

Aktivisti Edison Lika ka bërë thirrje për qytetarët e 15 bashkive që sipas propozimit të mazhorancës priten të shkrihen.

“Jemi në shesh për 15 bashkitë e vogla, që kërkohet t’ju vendoset dryni. Sot ne kemi një të zgjedhur për 40 mijë banorë, do të shkojë 1 për 50 mijë banorë. Le të përmendim bashkitë të cilave do t’ju vendoset dryni: Të na bashkohet Fushë-Arrëzi, të na bashkohen qytetarët e Klosit, Rrogozhinës, Dimalit, Poliçanit, Patosit, kësaj lëvizjeje t’i bashkohen qyetarët e Selenicës, Memaliajt, Cërrikut, Belshit, Prrenjasit, Maliqit, Devollit dhe të kërkojmë dorëheqje”, tha Lika.

Ai po ashtu informoi se nesër do të mbahet një protestë në Shkodër kundër ngritjes së konsullatës serbe atje.

Edhe në ditën e 63-të, protestuesit përsëritën se do të vijojnë çdo ditë tubimet dhe marshimet e tyre.

Pasi qëndruan për disa orë para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës.

Dita e 63-të e protestës; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 14

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›