E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qyteti i dehur”, piktori pogradecar Anastas Kostandini çel të tretën ekspozitë dedikuar qytetit të tij

50 punime me pastel janë paraqitur në ekspozitën “Qyteti i dehur” të piktorit Anastas Kostandini ,  në Galerinë e Arteve në Pogradec. Sipas piktorit, titulli “Qyteti i Dehur” lidhet me atmosferën dhe emocionet që i ka përcjellë Pogradeci ndër vite.

“Kjo është një temë që lidhet me intimitetin e qytetit dhe, në vazhdën e ciklit që unë po bëj për qytetin, desha të tregoja diçka tepër njerëzore: mënyrën se si e përjetojnë njerëzit e thjeshtë qytetin e tyre:, tha Kostandini.

Kompozitori Jani Papadhimitri, i ardhur nga Kanadaja, tha se ka ndjekur ndër vite krijimtarinë e piktorit dhe se ekspozita e re i përcolli emocione të veçanta.

“Sidomos sot, dal nga kjo ekspozitë me një emocion të jashtëzakonshëm, sepse më pëlqen jo vetëm arti i tij, që është madhështor, por edhe tematika që ka kapur”, tha .

Edhe shkrimtari Skënder Demolli ndau vlerësimin e tij për punimet e ekspozuara, duke u ndalur te fuqia e tyre artistike dhe frymëzuese.

“Për mua nuk është një surprizë, sepse jam mik i Galerisë së Taso Pogradecit, i cili tashmë nuk është më një piktor vetëm brenda kufijve lokalë apo kombëtarë, por është një nga piktorët që përfaqëson qytetërimin e vendlindjes së tij në veçanti dhe, në përgjithësi, të vendit tonë edhe jashtë kufijve të atdheut”, tha Demolli.

Ekspozita “Qyteti i Dehur” do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve në Pogradec deri më 1 gusht.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›