RAFAH – Dhjetëra të vrarë pas sulmeve të reja izraelite

GAZA, 29 maj /ATSH-DPA/ – Mjekët palestinezë thanë sot se dhjetëra persona kanë vdekur pas sulmeve të reja izraelite në qytetin jugor të Gazës, Rafah, dy ditë pasi 45 palestinezë u raportuan të vrarë në një sulm ajror, që ngjalli dënimin ndërkombëtar.
Ushtria izraelite tha se po hetonte raportet për një sulm në një strehë për personat e zhvendosur në Rafahun perëndimor.
Autoritetet e Hamasit thanë se sulmi përmbante të paktën katër granata, me vlerësime të pakonfirmuara që tregojnë se numri i të vdekurve është më shumë se 20.
Një zëdhënës i autoritetit shëndetësor të drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se 18 persona të tjerë u vranë gjatë natës në sulme të veçanta izraelite në Rafah.
Informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Raportet e dëshmitarëve okularë nga Rafahu thoshin se ushtria izraelite ka avancuar në qendër të qytetit.
Faqja izraelite e lajmeve ynet raportoi se tanket izraelite u vendosën në lagjen ”Tal al-Sultan”, e cila u godit nga sulmi ajror të dielën.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se trupat ishin ende duke u vendosur rreth Rafahut dhe po përpiqeshin të parandalonin dëmtimin e kalimtarëve të pafajshëm.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) tha se rreth një milion njerëz janë larguar nga Rafahu, që kur Izraeli filloi ofensivën e tij të fundit tre javë më parë.
Organizata tha në platformën e mediave sociale X se ”njerëzit e zhvendosur nuk kishin vend të sigurt për të shkuar në mes të bombardimeve, mungesës së ushqimit dhe ujit, grumbujve të mbeturinave dhe kushteve të papërshtatshme të jetesës”.
Sulmet e fundit vijnë pas një vendimi javën e kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) e OKB-së që urdhëron Izraelin të përfundojë menjëherë operacionin në Rafah.
Izraeli deri më tani ka refuzuar t’i bindet vendimit./ a.jor.