E Enjte, 5 Nëntor 2026

“RAI 3” shkakton debat në Kuvend! Bardhi kërkon interpelancë me Ramën, Çuçi: Vetë televizioni u tërhoq…

Seanca e sotme plenare ka nisur me diskutime mes palëve politike sa i takon kërkesës së PD për “interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama”. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se Rama duhet të japë llogari për atë që ai e cilëson ndërhyrje në lirinë e medias, referuar përgjigjies që kreu i qeverisë i dha emisionit të Rai3 për Shqipërinë.

“Ju po e bëni rrugë që kërkesat për interpelancë të grupit të PD, një pjesë i keni futur në sirtar, nga ana tjetër kërkesat për interpelancë me kryeministrin as nuk i njoftoni në seancë plenare. Në përputhje të plotë me rregulloren ka kërkuar interpelancë urgjente që duhet të ishte pikë e parë e rendit të ditës, mbi ndërhyrjen skandaloze që ka bërë në lirinë e medias. Kuvendi nuk ka frikë as ta thërrasë në interpelancë, as t’i kërkojë llogari, sikundër kryeministri nuk duhet të ketë frikë të vijë e të japë llogari për veprimtaritë e tij shtetërore. Për të njëjtën çështje një grup deputetësh në Senatin italian kanë thirrur për interpelancë kryeministren e Italisë Meloni. Prandaj, së pari informoni dhe pastaj na jepni kohë të sqarojmë kërkesën për interpelancë”, deklaroi Bardhi.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla iu përgjigj duke thënë se vendimi për ta refuzuar interpelancën është konfirmuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, pasi nuk përputhet me Kushtetutën. Të njëjtin arsyetim dha edhe kreu i grupit të PS Bledi Çuçi.

“Nuk është çështje për interpelancë sipas përcaktimeve të rregullores, aq më pak pastaj urgjente kur vetë program i Rai-t nuk ka urgjencë sepse vetë e ka shtyrë pjesën e dytë të emisionit”, tha Çuçi.

/a.r

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›