RAMALLAH – Tre të vdekur pas sulmeve izraelite në Bregun Perëndimor

RAMALLAH, 22 gusht /ATSH-DPA/- Tre persona janë vrarë gjatë një operacioni ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha sot Ministria e Shëndetësisë në Ramallah.
“Tre burrat u vranë në një sulm me dron ushtarak izraelit në një shtëpi në qytetin verior të Tulkarem”, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Sipas raporteve lokale, të paktën një nga të vdekurit ishte anëtar i krahut ushtarak të grupit islamik palestinez Hamas.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se u përdor një pajisje ajrore – gjatë një “operacioni anti-terrorist” në Bregun Perëndimor. Shpesh përdoren drone gjatë bastisjeve në territor.
Mediat palestineze raportuan se rrugët dhe ndërtesat në zonë ishin shkatërruar gjatë operacionit, i cili filloi të mërkurën në mbrëmje.
Sipas IDF, ushtarët kërkuan nën rrugë për eksplozivë. Grupet e armatosura në Bregun Perëndimor shpesh fshehin eksplozivë në dhe nën rrugë për të sulmuar forcat izraelite gjatë bastisjeve të tyre.
Tulkarem ndodhet në kufirin e Bregut Perëndimor me Izraelin dhe konsiderohet një bastion i palestinezëve militantë.
Situata në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Gazë, e cila pasoi sulmet e 7 tetorit.
“Që atëherë, 613 palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite, konfrontimet apo sulmet e tyre”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Dhuna nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve është rritur gjithashtu. //a.i./