RDK kërkon monitorim të shtuar të OSBE/ODIHR

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) sot kërkoi monitorim më të shtuar të misionit të OSBE/ODIHR në raundin e dytë në zgjedhjet lokale në Gostivar.
Kjo kërkesë sot është bërë nga kreu i kësaj partie, Rufi Osmani në takimin me drejtuesin e misionit të OSBE/ODIHR për Maqedoni, Gert Arens dhe analistin politik të këtij misioni Stefan Szved.
Kryetari i RDK-së Rufi Osmani ka theksuar se në këtë takim ka informuar misionin ndërkombëtar për shkeljet e shumta të procesit zgjedhor, duke përfshirë siç thuhet “blerjen masive të votave nga përfaqësues të BDI-së, përfshirë edhe djalin e kandidatit të BDI-së në Gostivar, votimet e shumëfishta, kërcënimet dhe frikësimet me masa ndëshkuese ndaj votuesve, fshirjen e një numri të madh votuesish opozitarë nga listat e votimit, votimin si të sëmurë me vërtetime të falsifikuara një ditë para 24 marsit, të një numri të konsiderueshëm personash të shëndoshë - të evidentuar tashmë me emër dhe mbiemër dhe të paraqitur në organet përkatëse, prishjen e heshtjes zgjedhore dhe manipulimin e rezultatit zgjedhor nga komisione komunale zgjedhore, siç ishte rasti i fundit në Komunën e Çairit”, shkruan Ina.
Kryetari i RDK-së ka shprehur shqetësimin për favorizimin dhe propagandimin e vazhdueshëm vetëm të partisë shqiptare në pushtet nga mediat televizive në gjuhën shqipe dhe habinë për shpenzimet e shumta të bëra nga partia shqiptare në pushtet, e cila vetëm në një televizion, vetëm për 19 ditë fushatë, ka paguar mbi 156.000 euro për reklamimin e saj, pa përmendur shpenzimet tjera të kësaj partie gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas tij, partia shqiptare në pushtet do të tentojë të manipulojë procesin zgjedhor edhe në raundin e dytë dhe kërkoi nga Ahrens dërgimin e sa më shumë vëzhguesve, për të parandaluar parregullsitë dhe falsifikimet e ndryshme.
Mysafirët nga OSBE/ODIHR shprehën kënaqësinë për takimin e realizuar dhe gatishmërinë për të grumbulluar të gjitha informacionet e nevojshëm lidhur me zhvillimet aktuale në vend, në këtë fazë delikate të zgjedhjeve, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme./Indeksonline/