E Premte, 6 Nëntor 2026

REPORTAZH – Edhe lotë edhe gëzim nga vdekja e Raisit, në një Teheran të ndarë më dysh

TEHERAN, 20 maj /ATSH-ANSA/ – Vdekja e papritur e presidentit iranian, Ebrahim Raisi shkaktoi sot reagime të përziera te qytetarët iranianë, të ndarë mes mbështetësve besnikë dhe antagonistëve këmbëngulës të ultrakonservatorit 63-vjeçar.

“Presidenti ia ka kushtuar jetën popullit”, thotë Mojtaba, një inxhinier telekomunikacioni, 43 vjeç nga Teherani, ku lajmi për rrëzimin e helikopterit me të cilin po udhëtonte u shoqërua mbrëmë me një falje kolektive publike nga mbështetësit e qeverisë, të cilët gjithashtu u mblodhën në Mashhad, në vendlindjen e tij.

Të njëjtët njerëz sot qajnë për vdekjen e tij, duke pretenduar se Raisi e donte martirizimin dhe se dëshira e tij më në fund u realizua.

“Ai luftoi kundër armiqve të brendshëm, si elementë të Perëndimit që dalin në rrugë pa mbulesë, ai luftoi fort kundër armiqve të huaj, përfshirë Izraelin. Unë e admirova sulmin me raketa kundër regjimit në prill, nën administratën Raisi, i cili i tregoi botës fuqinë e Iranit”, shton Mojtaba.

Në median sociale, shumë iranianë kritikojnë tani ish-presidentin për “kundërshtimin e tij të ashpër ndaj aktivistëve, gazetarëve dhe grave pas marrjes së pushtetit, veçanërisht për rolin e tij në vrasjen dhe ekzekutimin e të rinjve gjatë shtypjes së përgjakshme të trazirave të vitit 2022, sidomos të Mahsa Aminit, 20-vjeçares kurde, e cila humbi jetën pasi u vu në paraburgim nga policia e moralit për shkak se nuk mbante shami.

Pas njoftimit për vdekjen e Raisit, shumë përdorues shpërndanë video në të cilat shihen njerëzit duke uruar njëri-tjetrin, duke shpërndarë ëmbëlsira, duke kërcyer në rrugë apo edhe duke ndezur fishekzjarrë për të festuar.

”Mund të them se tani besoj plotësisht te karma. Ne nuk kishim fuqi të përpiqeshim ta ndalonim Raisin, por Zoti e ndëshkoi në këtë mënyrë, për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen dhe ekzekutimin e protestuesve, si dhe për rolin e tij në ekzekutimet masive të aktivistëve politikë në vitet 1980, kur ai ishte zëvendësprokuror i Teheranit”, tha Taraneh, 31 vjeçe.

“Politikat ekonomike të presidentit kanë çuar vetëm në një zhvlerësim të monedhës vendase dhe në inflacion shumë të lartë kohët e fundit”, shton ajo.

Ka shumë persona që ndajnë të njëjtin mendim me Taraneh, e cila punon si mësuese në kryeqytet.

Disa shkruajtën në median sociale se përplasja i është kushtuar “kujtimit të atyre që u vranë ose u burgosën për shkak të rolit të Raisit në shtypjen brutal të protestave në vitet 1980, 1999, 2009, 2017, 2019 dhe 2022 në Iran, si dhe 179 viktimat e rrëzimit të aeroplanit ukrainas pranë Teheranit nga Irani në vitin 2020”.

Shoqata e familjeve të viktimave të avionit të rrëzuar ka publikuar një deklaratë ku thuhet se ”si kreu i drejtësisë, Raisi u përpoq me të gjitha forcat të krijojë ngërç në përpjekjet për të arritur tek e vërteta dhe një hetim i drejtë”.

Nëna e Pejman Fatehit, një i burgosur politik i varur në shkurt, ka publikuar një video në të cilën shihet duke festuar dhe kërcyer, teksa dëgjon muzikë kurde.

”Vdekja e Raisit ishte e lehtë, sepse ai duhej të ishte gjykuar dhe dënuar për krimet e tij”, është komenti i avokates iraniane dhe fitueses së çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi.

”Sot ne kuptojmë se çfarë bëri Raisi duke parë njerëzit kaq të lumtur në festimin e vdekjes së tij”, shton ajo./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›