REPORTAZH – Maqedonia e Veriut përcjell viktimat e zjarrit përmes një cunami lotësh

SHKUP, 20 mars /ATSH-AFP/ – Maqedonia e Veriut ka filluar varrosjen e viktimave të zjarrit të tmerrshëm në një klub nate që vrau 59 persona në qytetin e vogël lindor të Koçanit, që fjalë për fjalë u përfshi sot nga një cunam lotësh.
Trëndafila kuq e bardhë në duar, bluza me portretet e viktimave, qindra njerëz erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit miqve, vëllezërve, motrave, fëmijëve, nipërve dhe fqinjëve të tyre.
Brenda varrezave, nën një qiell krejtësisht blu, një turmë e dendur u mblodh në fund të mëngjesit.
Pak para mesditës, të qarat dhe vajtimet i dhanë vendin një heshtjeje të pamasë, e ndërprerë dy herë nga shërbimet e urgjencës që vinin për të ndihmuar të afërmit që u kishte rënë të fikët.
Varrimi u kryesua nga kryepeshkopi Stefan, kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut dhe autoriteti më i lartë fetar kombëtar.
Media po mbahet larg turmës për qetësinë shpirtërore të familjeve dhe të dashurve të viktimave.
Në qendër të qytetit, nën një çadër të gjelbër, libri i ngushëllimeve vazhdon të mbushet dhe kalimtarët vendosin lule dhe qirinj përballë dhjetëra portreteve të viktimave.
Në të njëzetat e tij, Nikolla lufton lotët teksa flet për miqtë që humbi në zjarr.
“Nuk është një lumë lotësh, është një cunami lotësh”, tha i riu.
“Ky qytet ka vdekur. Ka humbur një brez të tërë të rinjsh që duhet ta kishin bërë krenar”, tha ai.
Ai shtoi se “duhet të ketë një hetim të madh për të gjetur të gjithë përgjegjës. Të gjithë, dua të them të gjithë. Miqtë e mi kanë vdekur, disa nga miqtë e mi më të ngushtë kanë vdekur… është shumë, shumë e trishtueshme.”
Pas tij, fotot e viktimave të zjarrit, ndër më të këqijat në një klub nate në Evropë, kujtojnë rininë e shumicës së tyre.
Nekrologjitë janë vendosur në të gjithë qytetin mbi trungjet e pemëve, disa prej të cilave kanë filluar të lulëzojnë përsëri.
Kalimtarët ndalojnë aty-këtu për të lexuar emrat e të vdekurve.
Funerale po mbahen gjithashtu në Shkup, kryeqytet dhe pesë qytete të tjera.
– “Qyteti i vdekur” –
“Çfarë të them? Ne nuk jemi në gjendje të flasim tani. Koçani është një qytet i vdekur. Është një qytet i vogël, të gjithë jemi fqinjë, miq, anëtarë të së njëjtës familje…”, thotë Mitko Petrushev, 65 vjeç.
“Zjarri nuk zgjati dy minuta, po vazhdon prej 30 vjetësh. Institucionet nuk po bëjnë punën e tyre, korrupsioni është kudo”, akuzoi pensionisti, para se të merrte pjesë në varrim, së bashku me pothuajse të gjithë qytetin.
“Si të mos shkoj? Gjysma e djemve të vdekur janë kushërinjtë e mi, miqtë e mi, shokët e mi të klasës. Për ne është një ditë e vështirë”, tha ai.
I zemëruar me ata që kanë “grabitur Maqedoninë për 30 vjet”, ai vazhdon se “kushdo që vjen në pushtet plaçkit, pastaj vjen një tjetër, plaçkit dhe largohet. Asgjë nuk funksionon siç duhet. Kjo diskotekë funksionon prej vitesh dhe të gjithë e dinë”.
Zjarri në “Puls” ka rënë gjatë natës duke u gdhirë e diel.
Gjithashtu la të plagosur rreth 200 persona.
Viktimat, kryesisht të rinj, ishin duke ndjekur një koncert të grupit hip-hop DNK, i cili është shumë i njohur në vend. Rreth 250 bileta ishin shitur, por 500 persona ishin në klubin e natës, sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë.
Zjarri duket se është shkaktuar nga shkëndija që arritën në tavanin lehtësisht të ndezshëm, sipas gjetjeve të hetimit të siguruara nga autoritetet.
Një ditë pas zjarrit, autoritetet premtuan veprime të shpejta kundër klubeve të natës për të kontrolluar licencat e tyre – thuhet se “Pulse” funksiononte me një licencë false.
Më shumë se 20 persona janë nën hetim, përfshirë një ish-ministër./ a.jor.