RIGË – Letonia planifikon t’i dërgojë Ukrainës mjete të blinduara zbulimi

RIGË, 28 prill /ATSH-DPA/- Letonia do t’i sigurojë forcave të armatosura të Ukrainës, mjete shtesë të blinduara për zbulim, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes në Rigë.
Në deklaratë nuk u bë i ditur numri i saktë i mjeteve që do të dërgohen në Ukrainë.
“Ne mbështesim luftën e Ukrainës kundër agresionit rus dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Andris Sprūds.
Ai theksoi se dorëzimi i këtyre mjeteve nuk do të cenojë nevojat apo kapacitetet operacionale të ushtrisë letoneze.
Letonia është një partnere dhe mbështetëse e ngushtë e Ukrainës, e cila prej më shumë se katër vitesh po mbrohet nga pushtimi rus.
Shteti baltik, që kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë, ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerën e 0,3% të PBB-së në vitin 2025, sipas të dhënave qeveritare.
Këtë vit, mbështetja pritet të arrijë në 0,25% të PBB-së. //a.i/