ROMË – Italia mbështet Mattarella-n pas sulmit të ashpër të Zakharova-s në lidhje me deklaratën e tij për pushtimin e Ukrainës

ROMË, 15 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti italian Sergio Mattarella ka marrë mbështetje ndërpartiake pas një sulmi të ashpër nga zëdhënësja e qeverisë ruse në lidhje me deklaraten e e tij për pushtimin e Ukrainës.
Kryeministrja Giorgia Meloni e përshkroi sulmin e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova si “një fyerje drejtuar të gjithë kombit italian” – ndërsa partitë e tjera kanë mbështetur gjithashtu politikanin veteran 83-vjeçar.
Zakharova akuzoi Mattarella, ish-ministrin e Mbrojtjes shumë të vlerësuar, për “shpifje të turpshme” pasi ai bëri krahasime midis pushtimit rus të Ukrainës dhe luftërave të agresionit të Gjermanisë naziste.
Në një fjalim në një universitet në fillim të shkurtit, Mattarella tha se kishte ngjashmëri me “projektin e Rajhut të Tretë” – Gjermania Naziste, shteti i referuar shpesh si Rajhu i Tretë -duke i përshkruar të dy pushtimet si “lufta pushtuese”.
“Është e habitshme dhe e pazakontë të dëgjosh shpifje të çuditshme të këtij lloji nga presidenti i Italisë, një vend që e di me të vërtetë se çfarë është fashizmi – jo vetëm nga thashethemet”, tha Zakharova në një reagim ndaj Mattarella.
Zëdhënësja ruse iu referua diktaturës së Benito Musolinit, një aleat i kohës së luftës i Adolf Hitlerit. //a.i/