ROMË – Zelensky takohet me Meloni për bisedime

ROMË, 9 janar /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti sot në mbrëmje në Romë për bisedime me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
Meloni e mirëpriti Zelensky në rezidencën e saj zyrtare, sipas pamjeve televizive.
Kryeministrja italiane ka qenë një nga mbështetëset e vendosura të Ukrainës në luftën e Kievit kundër Rusisë – që kur ajo mori detyrën në fund të vitit 2022.
Megjithatë, nga të gjithë liderët e BE-së, ajo shihet gjithashtu me lidhjet më të ngushta me rrethin e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
Ndërsa SHBA-ja ka qenë aleatja më e rëndësishme e Ukrainës që nga pushtimi rus në shkallë të plotë në shkurt 2022, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të tërheqë ndihmën për Kievin.
Meloni tha më herët se SHBA-ja nuk do ta braktiste Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse kundër Rusisë.
“Trump ka aftësinë për të balancuar diplomacinë dhe parandalimin. Unë parashikoj se do të jetë njësoj edhe këtë herë”, tha ajo, mes shqetësimeve të mëdha në Kiev se Trump mund të ndalojë mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën sapo të marrë pushtetin.
Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, ka thënë se dëshiron t’i japë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur, pa përmendur se si do të arrihet kjo. //a.i/