E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

RUMANI – Arrestohet kandidati presidencial pro rus Calin Georgescu

BUKURESHT, 26 shkurt /ATSH-DPA/ – Ekstremisti pro rus i krahut të djathtë dhe ish-kandidati presidencial, Calin Georgescu u arrestua sot, konfirmoi ekipi i tij i fushatës zgjedhore në profilin e tij në Facebook.

Prokurori publik e akuzon atë për “nxitje të veprimit kundër rendit kushtetues”, përhapje të informacionit të rremë, dhënie informacioni të rremë për financimin e fushatës zgjedhore, themelim të një organizate fashiste dhe antisemite dhe nderim publikisht të krimeve kundër njerëzimit dhe ideologjive fashiste e raciste.

Prokurori publik nuk e përmendi emrin e Georgescu në deklaratën e tij mbi akuzat.

Pamjet televizive treguan Georgescu duke hyrë në zyrën e prokurorit publik i rrethuar nga oficerë policie.

Policia e kapi Georgescun ndërsa ai po ngiste makinën në Bukuresht.

Qindra mbështetës të Georgescut demonstruan përpara zyrës së prokurorit publik, ndërsa ai po merrej në pyetje për orë të tëra.

Georgescu fitoi papritur raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë më 24 nëntor.

Megjithatë, pak përpara balotazhit, Gjykata Kushtetuese anuloi raundin e parë për shkak të parregullsive në financimin e fushatës.

Zgjedhjet duhet të përsëriten.

Georgescu synon të kandidojë përsëri në zgjedhjet e reja të caktuara për më 4 maj.

Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë ende nëse ai lejohet ta bëjë këtë.

Afati i fundit për autorizimin e të gjitha kandidaturave është data 15 mars.

Anulimi i zgjedhjeve shkaktoi kritika të ashpra nga nënpresidenti i SHBA JD Vance, i cili në Konferencën e Sigurisë në Mynih në fillim të këtij muaji vuri në dukje se “argumenti ishte se ndërhyrja ruse kishte infektuar zgjedhjet rumune”./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›