E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

RUSI – Kremlini: Sanksionet e reja të SHBA-së do të destabilizojnë tregjet ndërkombëtare

MOSKË, 13 janar /ATSH-DPA/- Kremlini ka kritikuar sanksionet e reja të vendosura nga SHBA-ja – si një përpjekje për të minuar pozicionet e kompanive ruse me rregullore që “shtrembërojnë” konkurrencën.

“Në të njëjtën kohë, vendime të tilla sigurisht që duhet të çojnë në një destabilizim të caktuar të tregjeve ndërkombëtare të energjisë dhe naftës”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Moska do të bënte gjithçka për të minimizuar dëmin në ekonominë e saj”, tha ai.

Peskov është i bindur se edhe Moska mund t’i rezistojë raundit të fundit të sanksioneve.

“Shpesh, është e pamundur të zhbëhen lidhjet energjetike – të krijuara prej kohësh – dhe nëse krijohet një pengesë në një vend, atëherë alternativat do të shfaqen në një tjetër vend”, shtoi ai.

SHBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj sektorit energjetik rus, javën e kaluar në përgjigje të luftës së vazhdueshme të Moskës kundër Ukrainës.

Kompanitë e naftës “Gazprom Neft” dhe “Surgutneftegas”, si dhe 183 cisterna që dyshohet se i përkasin të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë, do t’i nënshtrohen kufizimeve.

Këto janë anije që Rusia përdor për të anashkaluar sanksionet ekzistuese për transportin e naftës.

Nga sanksionet amerikane është prekur edhe kompania ruse bërthamore “Rosatom”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›