RUSI – Kremlini: Takimi Putin-Trump është i mundur këtë muaj

LONDËR, 19 shkurt /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump mund të takohen këtë muaj, megjithëse takimi i parë ballë për ballë midis një udhëheqësi rus dhe një udhëheqësi amerikan që nga viti 2021 – mund të zgjasë më shumë për t’u përgatitur, tha sot Kremlini, sipas “Reuters”.
Trump tha dje se ndoshta do të takohej me Putinin këtë muaj – dhe hodhi poshtë shqetësimin e Ukrainës se mund të mbetej jashtë bisedimeve SHBA-Rusi në Arabinë Saudite, ndërsa sugjeroi se Kievi mund të kishte arritur një marrëveshje me Rusinë më herët.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se takimi në Riad ishte fokusuar më së shumti në lidhjet dypalëshe Rusi-SHBA, – dhe se ishte një “hap shumë i rëndësishëm” drejt arritjes së një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë.
“Por ky është hapi i parë… Natyrisht, është e pamundur të rregullosh gjithçka brenda një dite apo një jave. Ka një rrugë të gjatë për të bërë”, tha Peskov.
I pyetur nëse një takim midis Putinit dhe Trump mund të zhvillohet këtë muaj, Peskov u citua nga Interfax të ketë thënë: “Ndoshta. Dhe ndoshta jo”.
Putini dhe paraardhësi i Trump, Joe Biden morën pjesë në një samit në Gjenevë në qershor 2021.
Kjo ishte hera më e fundit që një lider amerikan dhe rus u takuan ballë për ballë, megjithëse Biden dhe Putin zhvilluan një telefonatë në shkurt 2022 dhe mesazhet u kaluan nëpërmjet ndërmjetësve. //a.i/