E Diel, 1 Nëntor 2026

RUSI – Mbi 1 200 dronë ukrainas lëshohen drejt rajonit të Moskës

MOSKË, 29 tetor /ATSH-DPA/ – Ukraina ka ndërmarrë një nga sulmet e saj më të mëdha me dronë ndaj Rusisë deri më sot, sipas zyrtarëve rusë, ndërsa Moska njoftoi se gjatë natës janë kapur më shumë se 1 200 dronë.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të enjten në mëngjes se mbrojtja e saj ajrore kishte kapur 1 214 dronë ukrainas mbi territorin rus.

Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se 613 dronë po i drejtoheshin rajonit të kryeqytetit; shumica e tyre u rrëzuan, përfshirë 231 që u asgjësuan ndërsa i afroheshin Moskës.

Gjatë natës u vendosën kufizime në tre nga katër aeroportet e kryeqytetit.

Në qytetin Sterlitamak, në Republikën ruse të Bashkortostanit (në rajonin e Uraleve), autoritetet njoftuan se ishin kapur tetë dronë.

Sipas zyrtarëve, mbetjet e dronëve ranë në ambientet e një kompanie të paidentifikuar, duke shkaktuar dëme të lehta.

Ky qytet është vënë në shënjestër të sulmeve ukrainase edhe herë të tjera në të kaluarën.

Ukraina është duke u mbrojtur kundër pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia prej më shumë se katër vitesh e gjysmë, me mbështetjen e vendeve perëndimore. Si pjesë e përpjekjeve të saj mbrojtëse, forcat ukrainase kryejnë rregullisht sulme ndaj objektivave thellë brenda territorit rus./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›