RUSI – Putin uron publikisht Trump për fitoren presidenciale

MOSKË, 7 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin uroi publikisht sot Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Unë do të doja të përfitoj nga ky rast për ta uruar atë”, tha Putin në qytetin jugor të Soçit, në Detin e Zi, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me pikëpamjen e tij për zgjedhjet amerikane.
Putin tha se nuk do ta telefononte vetë Trump, sepse shumë liderë perëndimorë preferojnë të shmangin kontaktet me Rusinë këto ditë.
Megjithatë, ai është i përgatitur të rifillojë kontaktet në parim.
Në përgjigje të deklaratave të Trump gjatë fushatës zgjedhore se ai dëshironte të rivendoste marrëdhëniet me Rusinë dhe të kontribuonte në përfundimin e konfliktit në Ukrainë, Putin tha se “kjo meriton vëmendje”.
Putin kujtoi se ai kishte pasur gjithashtu kontakte të mira personale me presidentët e SHBA-së, veçanërisht me familjen Bush.
Ai tha se e admironte guximin e Trump gjatë fushatës zgjedhore pas atentatit.
”Ai është një burrë trim. Kjo më bëri përshtypje”, tha ai.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump pretendoi se ai mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë shpejt, ndoshta edhe para betimit të tij më 20 janar.
Kritikët kanë akuzuar prej kohësh republikanin 78-vjeçar se është shumë i afërt me Rusinë dhe Putinin në veçanti./ a.jor.