RUSI – Takim Putin-Orban për energjinë

MOSKË, 28 nëntor /ATSH-AFP/ – Kryeministri hungarez, Viktor Orban njoftoi se do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, të premten, për bisedime të fokusuara në çështjet energjetike.
“Unë po shkoj atje për t’u siguruar që furnizimi me energji i Hungarisë të jetë i sigurt për dimrin dhe vitin e ardhshëm me një çmim të përballueshëm”, tha udhëheqësi nacionalist në një video të postuar në Facebook.
Udhëheqësi nacionalist vuri në dukje se kishte udhëtuar në Shtetet e Bashkuara në fillim të nëntorit, ku mori një përjashtim njëvjeçar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump në lidhje me sanksionet që lidhen me naftën ruse.
“Ne patëm sukses, gjë që është e shkëlqyer”, tha ai të premten.
“Tani, e tëra çfarë na duhet është gazi dhe nafta, të cilat mund t’i blejmë nga rusët, kështu që unë po shkoj atje për t’u siguruar që furnizimi me energji i Hungarisë të jetë i sigurt për dimrin dhe vitin e ardhshëm me një çmim të përballueshëm”, tha Orban.
Ai pohoi se Hungaria ka çmimet më të ulëta të energjisë në Evropë falë aksesit të saj në gazin dhe naftën ruse, të cilat janë “të lira krahasuar me nivelet ndërkombëtare të çmimeve”.
Që nga kthimi në pushtet në vitin 2010, Orban është takuar me Putinin 15 herë.
Takimi i së premtes do të jetë i katërti i tyre që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Udhëheqësi hungarez ka refuzuar të dërgojë ndihmë ushtarake në Ukrainë dhe kundërshton përpjekjen e Kievit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian./ a.jor.