RUSI: Putin paralajmëron Perëndimin me doktrinën e re bërthamore

MOSKË, 25 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti Vladimir Putin deklaroi sot se Rusia po e ndryshonte doktrinën, që përcaktonte rastet e përdorimit të armëve të saj bërthamore në funksion të tensioneve ekstreme me fuqitë perëndimore.
Doktrina e përditësuar shënjestron fuqitë bërthamore si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca. Ndonëse nuk i përmendi në mënyrë specifike ato vende, Putin tha se një fuqi bërthamore që mbështet sulmin e një shteti jo-bërthamor ndaj Rusisë rrezikon të bëhet objektiv i një kundërsulmi rus.
“Do të doja t’ju tërhiqja vëmendjen për diçka tjetër”, tha Putin gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë në Kremlin lidhur me parandalimin bërthamor.
Versioni i përditësuar i dokumentit propozon që agresioni kundër Rusisë nga një shtet jo-bërthamor, por me përfshirjen ose mbështetjen e një shteti bërthamor, duhet të konsiderohet si një sulm i përbashkët ndaj Federatës Ruse.
Por Putin nuk specifikoi natyrën e përgjigjes së Rusisë, nëse ajo do të ishte bërthamore.
Putin filloi pushtimin e plotë të Ukrainës dy vjet e gjysmë më parë. Ukraina, e cila nuk ka armë bërthamore, është mbështetur ushtarakisht nga Perëndimi.
Në shumë raste Putini ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin rus. Ai gjithashtu vendosi forcat bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë në vitin 2022, menjëherë pas shpërthimit të luftës.
/u.sh/