E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajoy ne parlament mohon akuzat

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy pranoi para parlamentit se kishte gabuar që i kishte besuar një kolegu “të paturp”.

Rajoy u thërrit të enjten nga parlamenti spanjoll për të dhënë shpjegime në lidhje me shkrimet e qarkulluara së fundmi në mediat dhe hetimet e nisura që e lidhin atë me një skandal korrupsioni së bashku me ish-kreun e Thesarit të Partisë Popullore, Luis Barcenas. Megjithatë, Rajoy mohoi akuzat e hedhura kundër tij për korrupsion si “gënjeshtra dhe manipulime”. “Gënjeshtra, manipulime dhe skenare dashakeqëse të inkurajuara nga disa udhëheqës politikë në vend”, tha Rajoy para deputetëve. Më pas ai shprehu bindjen se drejtësia do të tregojë që nuk ka patur asgjë të paligjshme në sjelljen dhe veprimet e tij personalisht dhe të partisë që ai drejton. Ish-kreu i Thesarit të Partisë Popullore deklaroi disa ditë më parë se kishte dorëzuar pagesa ekstra në dorë për Mariano Rajoy dhe drejtues të tjerë të lartë të partisë. Pagesat ishin jashtë fondit të partisë, fond që sigurohej nga donacionet e bizneseve. Vetë Rajoy dhe anëtarë të tjerë të Partisë Popullore mohojnë akuzat nga Barcenas duke i cilësuar ato si “shpifje”. Konservatorët spanjollë erdhën në pushtet në zgjedhjet e vitit 2011 duke fituar një mazhorancë të qartë në parlament. Por sot, akuzat për korrupsion mbërrijnë në të njëjtën periudhë kur vendi po përballet me krizën më të fortë ekonomike prej dekadash dhe kjo mund të minojë përpjekjet e qeverisë për stabilizuar financat publike dhe për t’i dhënë fund recesionit. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›