Rama : “Pagat e mësuesve rriten me 40%”

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Evis Kushi prezantuan ditën e sotme buxhetin e vitit 2022 për Ministrin e Arsimit. Kreu i qeverisë tha se mandatin e tretë në qeveri ka objektiv rritjen me 40% të pagave të mësuesve.
“Vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe projeksioni i mandatit të tretë është që pagat të rriten pa diskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre.
Kjo lidhet jo vetëm ne ç’ka dimë dhe planifikojmë, por edhe ç’ka ne nuk e dimë dhe mund të na shfaqet përpara. Çdo vit do të jetë i njëjtë me rritje të vazhdueshme të pagës për ju” tha Rama.
“Ne do të vazhdojmë të synojmë objektivat, nëse ky vit mbyllet me një rritje pagash për ju dhe nëse sot mesatarja bruto është më e lartë dhe në vitin e ardhshëm do jetë njësoj. E njëjta gjë thuhet dhe për rritjen e buxhetit për arsimin dhe shkollat që vazhdon dhe duke adresuar disa elementë të procesit, siç është transporti, që mbetet problematik të atyre që duhet të spostohen në një distancë” tha kryeministri.
Zoti Rama tha gjithashtu se është hedhur një bazë e fortë në funksion të mësuesve. “Mësuesit ti japim garanci të plotë se vendi i punës bazohet te merita dhe jo te lidhjet farefisnore dhe jo te bindjet politike”, deklaroi Rama.
Ai ka paralajmëruar një valë ndryshimesh dhe shkarkimesh të drejtuesve të shkollave dhe gjimnazeve të vendit, pasi tha se ka ende drejtorë, mbi të gjitha ‘burra’ që ‘u ka kaluar vakti me kohë’.
Rama e konsideroi domosdoshmëri “një rritje cilësore të drejtimit të shkollës”. Kreu i qeverisë tha se sot kemi në shkolla drejtues që janë “out” dhe që duhet të largohen për t’u lënë vendin atyre që e meritojnë.
Sipas Ramës, në shkolla mund të gjesh mësuese që kanë aftësi për të drejtuar jo vetëm institucionin ku punojnë, por edhe ministinë e Arsimit.