E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 245 aplikantë dhe 200 intervista për Rrjetin MIA, tani vijon faza e përzgjedhjes

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ka përfunduar faza e intervistave për t’u bërë pjesë e rrjetit MIA (Agjencia për Media dhe Informim), ndërsa procesi vijon me përzgjedhjen e aplikantëve dhe ideve që do të zhvillohen më tej.

Sipas Ramës, propozimet e paraqitura përfshijnë një gamë të gjerë idesh, nga përdorimi i inteligjencës artificiale dhe verifikimi i informacionit, deri te mënyrat për t’i dëgjuar më mirë qytetarët dhe për t’i përfshirë ata në gjetjen e zgjidhjeve.

Kreu i qeverisë theksoi se qëllimi i krijimit të Rrjetit MIA ishte hapja e mundësive për njerëz me ide, energji dhe aftësi për të kontribuar në përmirësimin e komunikimit publik.

“245 aplikantë, 200 intervista dhe plot ide të reja për komunikimin publik. Kur prezantuam Rrjetin MIA, ideja ishte të hapnim dyert për njerëz me ide, energji dhe aftësi për të sjellë diçka ndryshe në mënyrën si institucionet komunikojnë me qytetarët.

Tashmë ka përfunduar faza e intervistave dhe ajo që më duket më interesante është larmia e propozimeve. Nga përdorimi i inteligjencës artificiale dhe verifikimi i informacionit, te mënyrat se si mund t’i dëgjojmë më mirë qytetarët dhe t’i përfshijmë në gjetjen e zgjidhjeve”, shkruan Rama.

Rama shtoi se “tani vijon përzgjedhja, me synimin që idetë më të mira të zhvillohen më tej dhe të sjellin rezultate konkrete”.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›