E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 60% të kohës televizive në Shqipëri e merr opozita

TIRANË, 10 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria nuk është një vend mediash të kapura dhe këtë sipas tij, e vërteton edhe fakti se 60% të kohës televizive në Shqipëri në total e merr opozita.

Në nisje të podkastit “Flasim”, Kryeministri solli sot në vëmendje analizën e bërë nga një startup shqiptar me inteligjencën artificiale për të grumbulluar dhe vlerësuar kahjen e qëndrimeve mediatike e artikujve dhe vlerësimeve, komenteve në median tradicionale dhe në median online në raport me politikën.

“E postova sepse ishte një pasqyrë që mua personalisht nuk më surprizon, pasi unë dhe ne e dimë shumë mirë realitetin faktik të raportit mes medias dhe qeverisë dhe shumicës qeverisëse që nuk është gjëkundi realiteti i pretenduar nga ulëritësit që nuk dinë ç’të bëjnë tjetër me lirinë e medias, përveçse të ankohen për mungesën e lirisë”, tha Rama.

Analiza, sipas tij, ishte një pasqyrë e vlefshme për t’u ndarë me shumëkënd që do të informohet dhe që në të gjitha rastet nuk e humb respektin për faktet dhe nuk hyn në luftë me faktet, kur faktet provojnë një opinion të ndryshëm nga i tij.

“Në këtë pasqyrë rezulton qartësisht se nga gjithë tërësia e produkteve të medias në raport me politikën 60% e kohës televizive në Shqipëri në total e merr opozita në kuptimin e qëndrimit anti qeverisë, një pjesë tjetër, analiza faktike e nxjerrë si të balancuar dhe një pjesë shumë të vogël si pro qeverisë”, shtoi Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “po e njëjta situatë pak a shumë është dhe në median online”.

“Në portalet të cilat anojnë qartësisht nga fronti nga kampi, nga fusha e atyre që janë kundër qeverisë dhe për këtë mua sinqerisht më vjen mirë pasi bëhet e qartë që këtu nuk jemi në një vend mediash të kapura, këtu nuk jemi në një vend ku mbyllen gojët e atyre që flasin, komentojnë, argumentojnë, shkruajnë kundër qeverisë, po këtu jemi në një vend që si rrallëkund tjetër dominon pikërisht e kundërta e atij dominimi që i karakterizon vendet me media të kapura ose me media që i shërbejnë regjimeve ose autokracive elektorale”, u shpreh Kryeministri.

Rama shprehu bindjen se çdo përpjekje për të kapur mediat është një përpjekje që nuk të çon në fitoren e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve.

“Kështu që thënë të gjitha këto unë kam një teori shumë të thjeshtë edhe për arsyen pse çdo përpjekje për të kapur mediat është një përpjekje që nuk të çon në fitoren e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve dhe nga ana tjetër patjetër që duke i lënë të lirë të gjithë thonë ato që duan, njerëzit e kanë pastaj më të thjeshtë që të bëjnë dallimin mes atyre që bëjnë punët, atyre që përpiqen çdo ditë, atyre që edhe rrëzohen, por rrëzohen në një përpjekje për të ecur përpara dhe atyre që shtriqen nëpër kolltuk dhe ulërijn렠nëpër gardhet e pakapërcyeshme të vetëvendosura nga mungesa e vizionit, nga mungesa e programit, mungesa e lidershipit, mungesa e shumëçkaje tjetër që karakterizon sot atë kamp në tërësi dhe nuk flasim vetëm për një parti, flasim për tërësinë”, vijoi Kryeministri.

Në përfundim, Rama u shpreh se programi që ka kryer analizën është tërësisht i paakuzueshëm për anësi dhe i vendosur mbi forcën e inteligjencës artificiale.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›