E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Agresioni i një turme dhunuesish urbanë e përndjekësish online nuk mund të pranohet si normalitet

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat e zhvilluara në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke ngritur shqetësimin për ndikimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve shqiptarë, Rama theksoi se agresioni dhe dhuna nuk mund të pranohen si normalitet, kur ato cenojnë bashkëjetesën dhe lirinë e qytetarëve.

“E kam pyetur veten vazhdimisht këto ditë: A është e mundur të pranohet si normalitet agresioni i një turme e cila, në emër të rinisë, studentëve, së ardhmes, kërkon të na imponohet të gjithëve, jo thjesht duke thyer xhamat e Ministrisë së Arsimit dhe xhamat pranë saj, por duke thyer çdo normë të bashkëjetesës mes njerëzish të të njëjtit qytet?”, u shpreh Kryeministri.

Rama u shpreh se kur flet për qytetarët që preken nga kjo situatë, nuk i referohet vetëm vetes, qeverisë apo shumicës parlamentare, por të gjithë atyre që nuk janë pjesë e akteve të dhunshme.

“Dhe kur them të gjithë, nuk kam parasysh veten, qeverinë, shumicën parlamentare. Jo. Kam parasysh të gjithë, pa përjashtim, të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij agresioni dhe që përjetojnë frikë, pasiguri, pështjellim nga kjo turmë dhunuesish urbanë dhe përndjekësish online”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë nënvizoi se shqetësimi përfshin edhe qytetarët që nuk e kanë votuar qeverinë dhe që nuk janë dakord me politikat e saj, por që, sipas tij, kanë të drejtën të jetojnë dhe të lëvizin të lirë.

“Patjetër që kam parasysh edhe ata që nuk e kanë votuar këtë qeveri, nuk më duan mua kryeministër, nuk janë dakord me asgjë që ne bëjmë, por ama duan të lëvizin lirisht në këtë qytet, duan të çojnë fëmijët në shkollë, të shkojnë në punë, të mbajnë hapur dyqanet deri në darkë, të shëtisin në mbrëmje të patrazuar”, tha Rama.

Ai shtoi se qytetarët duan të vijojnë jetën e tyre pa qenë të detyruar të ndryshojnë planet për shkak të tensioneve dhe akteve të dhunshme.

“Shkurt, duan të jetojnë në paqe, pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre për shkak të një turme agresive ndaj normalitetit të Tiranës”, u shpreh Kryeministri.

Rama përshkroi sjelljet e protestuesve që kanë shqetësuar banorët e kryeqytetit, që nga britmat gjatë natës dhe bllokimi i trafikut, deri te përplasjet me drejtues automjetesh.

“A mund të na imponohet të gjithëve një turmë e cila, pasi ka ardhur prej muajsh vërdallë nëpër Tiranë, duke xhiruar përnatë rrugët e qendrës me britma e të qara dhe duke shqetësuar njerëzit e ulur nëpër kafene, brenda në dyqane, restorante ose lart nëpër shtëpi, apo duke i nxjerrë jashtë në kryqëzime për të bllokuar trafikun, duke bullizuar dhe goditur drejtues automjetesh të penguar në rrugën e tyre, pa pyetur fare për liritë dhe të drejtat e askujt tjetër, shpërthen në një furi dhune me gurë dhe me zjarr kundër qytetit, kundër institucioneve, kundër dyqaneve, kundër Policisë së Shtetit?”, deklaroi Rama.

“Kush janë këta dhe në emër të kujt duan t’i imponojnë shoqërisë sonë, kryeqytetit tonë, vendit tonë, shembullin e forcës dhe të antiligjit dhe të antinjerëzillëkut?”, tha Rama.

1 nga 5

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›