E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: ‘Albanian Files’, libri që po trajtohet si provë krimi 35 vjet pas rënies së komunizmit

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar daljen së shpejti në libraritë e kryeqytetit të librit shumë të debatuar së fundmi “Albanian Files”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama shkruan se “Albanian Files” të cilin e ka cilësuar si “libri i mallkuar” për shkak të debatit që ka shkaktuar, do të dalë së shpejti në libraritë e Tiranës.

Sipas Ramës, ky libër ka hyrë në histori “si i pari libër, që trajtohet si provë krimi 80 vjet pas rënies së nazizmit dhe 35 vjet pas rënies së komunizmit”

“Libri i Mallkuar së shpejti në “Adrion”, pasi sapo hyri sot në histori si i pari libër, që trajtohet si provë krimi 80 vjet pas rënies së nazizmit dhe 35 vjet pas rënies së komunizmit”, shkruan Edi Rama.

Ndërkaq, paraditen e sotme një grup protestuesish kanë firmosur dhe kanë dorëzuar në SPAK librin mbi arkitekturën “The Albanian Files”, duke kërkuar që të shihet nga Prokuroria e Posaçme si një provë krimi.

Protestuesit thanë se libri u mbajt nga Prokuroria.

“SPAK e mbajti librin që dorëzuam. Pas deklaratës sonë publike që kërkojmë nisje të hetimit, për atë që ne e cilësojmë si provë të kapjes së shtetit. Ndaj do të presim në ditët në vijim. Do të kemi një kallëzim penal, që po hartohet nga avokatët tanë. Ne jemi këtu për t’i thënë SPAK se ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne nuk jemi për drejtësi popullore, por ne kërkojmë një shtet të së drejtës ku kryeministri të trajtohet dhe hetohet si të gjithë qytetarët”, tha një prej aktivisteve.


“The Albanian Files Freedom and Architecture” është një libër voluminoz mbi arkitekturën, i redaktuar nga Anneke Abhelakh dhe i botuar nga shtëpia e njohur botuese zvicerane Lars Müller Publishers.

Libri përmban rreth 750-800 faqe dhe përmbledh projektet, skicat, idetë dhe reflektimet e 60 studiove dhe arkitektëve ndërkombëtarë që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›